Kurti flet për arritjet e përbashkëta Kosovë- Shqipëri, Rama propozon rezolutë për të akuzuarit në Hagë, përmend Rugovën dhe...

Aktuale

Kurti flet për arritjet e përbashkëta Kosovë- Shqipëri, Rama propozon rezolutë për të akuzuarit në Hagë, përmend Rugovën dhe...

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 15:23 më 20.12.2024
Foto ilustrim

Miratohet deklarata e përbashkët e seancës plenare mes dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë

Në fund të seancës së përbashkët mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës u miratua deklarata e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve.

Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë.

“Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë ën rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë he i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa lexoi deklaratën nënvizoi se mospajtimet kanë qenë të pranishme gjithmonë, por rëndësi ka uniteti dhe ecja përpara.

“Sa i përket kësaj seancë konsideroj që në çdo moment historik dhe të vështirë nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë mospajtimet kanë qenë të pranishëm dhe idetë e kundërta, mendimet e ndryshme etj. Mendime të ndryshme kishte dhe në Lidhjen e Prizrenit kur u mbajt ajo. Studiuesit edhe historianët na i kanë sjellë ato, të gjitha kontradiktat e mundshme dhe të gjitha mospajtimet. Mospajtime kishte dhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte nga ata që e kundërshtonin dhe i dimë të gjitha ato dhe pastaj edhe në të gjitha fazat e rëndësishme nëpër të cilat kaloi kombi ynë”, tha ai.

Më tej ai theksoi se “arsyeja pse qëndrojmë këtu dhe më të fuqishëm se kurrë është vetëm një arsye. Arsyeja është se nëpër çdo sfidë dhe kontradiktë nëpër të cilën kemi kaluar ka ngadhënjyer gjithmonë ai opsioni kryesor. Dhe opsioni kryesor është opsioni i unitetit dhe opsioni i progresit, i ecjes përpara. Dhe kjo është ajo që na ka sjellë këtu dhe na ka bërë fitimtarë në çdo udhëkryq nëpër të cilin kemi kaluar dhe kështu mendoj do të jetë gjithmonë me kombin shqiptar”.

“Beogradi mik me Tiranën sjell pasoja për Prishtinën”/ Mediu: Të mbrojmë historinë e Kosovës. Të vihemi në shërbim të kombit

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në fjalën e tij në parlamentin e Kosovës, në mbledhjen e përbashkët të ligjvënëse të Shqipërisë e të Kosovës, tha se një Beograd mik me Tiranën sjell pasoja për Prishtinën.

Mediu theksoi se duhet mbrojtur historia e lavdishme për liri e Kosovës. Ai tha se duhet punuar për krijimin e shtetit dhe jo për pushtet personal.

Fatmir Mediu: Të gjithë ne duhet të mbrojmë historinë e Kosovës. Duhet të punojmë bashkë jo për pushtet, por për shtet. Serbia ka bërë zgjedhjen e saj, me Rusinë e Kinën. Serbia vazhdon me idetë e Serbisë së Madhe, deklaron se Europa e NATO janë hipokrit, thonë se Serbia nuk do e njohë pavarësinë e Kosovës.

Serbia sheh shpresë nga Moska. Beogradi një mik për Tiranën sjell pasoja për Kosovën. Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën. Të vendosemi në mbështetje të kauzës kombëtare.

Bardhi i PD-së kritikon Ramën: Kritika për vëllain nuk jepet në publik, jo si thikë shpinës

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së në Shqipëri, Gazmend Bardhi, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fjalimin e tij me thumba për kryeministrin Albin Kurti.

Bardhi këtë e quajti thikë pas shpine dhe tha se këshillat vëllai-vëllait ia jep privatisht e jo në publik.

“Pa diskutim që unë nuk do ta prish traditën e shqiptarit për ta kthyer këtë mbledhje të sotme të dy kuvendeve tona në një transformim të luftës tonë të brendshme në Shqipëri. Mund të flisja shumë se çfarë ka ndodhur në këto dhjetë vite në Shqipëri, mund të flisja shumë edhe se si janë marrëdhëniet mes dy vëllezërve, Kosovës e Shqipërisë, gjatë këtyre viteve të fundit, por nuk kam ndërmend ta kthej këtë në një fushatë elektorale apo të përdor Kosovën për fushatë elektorale. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do ta bëjmë kurrë”.

“Por, një mesazh referuar nga fjala që kryeministri [Rama], që në fakt e lanë nervat dhe e braktisi sallën, foli sot para deputetëve, ne shqiptarët kemi një traditë: vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në publik, nuk ia themi kurrë këshillën në lagje, vëllait këshillën ia themi në shtëpi me zë të ulët që të mos na dëgjojnë të tjerët. E kundërta e kësaj, një këshillë edhe kur është e drejtë e thënë në publik e lëndon vëllain, e dobëson pozitën e tij në arenën ndërkombëtare dhe sigurisht është një thikë pas shpine për vëllain tonë, Kosovën tonë të dashur”.

Kurti: Sulmet terroriste e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin në NATO

Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, po mbajnë seancë të përbashkët.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Parlamenti i Kosovës në fjalën e tij drejtuar dy kuvendeve tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë e në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që e kanë bërë urgjente anëtarësimin në NATO.

“Sulmet terroriste ndaj Kosovës ai në Banjskë e ky i fundit në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që vijnë nga e njëjta adresë, nga Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin në NATO”. Ai tha se si asnjëherë më parë kanës shtrirë sovranitetin në veri e sipas tij sulmet terroriste sporadike, të paramilitarëve të orkestruar e financuar nga Serbia, sipas tij janë shprehje e pafuqisë së tyre.

“Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt nën kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, tha tutje ai.

Tutje kreu qeveritar tha se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e fortë ushtarakisht. Sipas tij, investimet në vitet 2021-2023 arritën mbi 239 milion euro nga 4 milion sa ishin në vitet 2018-2020.

“NATO është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO, mirëpo Kosova po bën hapa gjigant drejt NATO-s. NATO-ja nuk ka armatim të vetin, e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare. Për dallim nga viti 2018-2020 kur kishim më pak se 4 milion investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milion euro investim në armatim e në municion. Pra, ne nuk duhet të anëtarësohemi në NATO pse nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse do të kontribuojmë”, tha ai.

Tutje kryeministri foli edhe për arritjet e përbashkëta, tha se Shqipëria është ndër 5 vendet e para që ka vëllimet më mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milion euro. Tha se janë të vetëdijshëm se nuk u lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet sepse tha se kanë shumë punë për të bërë jo vetëm për qytetarët që u takojnë të dyja shteteve, por për gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje. Ai tha se shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë.

“Shqiptarët në Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë. Prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk kanë faj që janë autokton. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milion për Luginën, uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, tha tutje ai.

Haradinaj, Shqipërisë: Na ndihmoni të anëtarësohemi direkt në NATO

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, takimin e sotëm të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e quajti takim mes vëllezërve dhe motrave.

Ai tha se në një takim të këtillë nuk duhet të fshihet e vërteta.

“Situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë. Për herë të parë në 20 vjet është sulmuar një pjesë e vendit nga grupe terroriste e të armatosura me arsenal ushtarak. Hapat e gabuar e të pakoordinuar të qeverisë së Kosovës, të kryeministrit të Kosovës, me partnerët strategjikë, posaçërisht të ShBA-së, për integrimin e serbëve të veriut, kanë bërë që Serbia nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shihet si viktimë, e Kosova, të them më së buti, e papërgjegjshme dhe shtet joserioz. Si pasojë, jemi nën sanksione të BE-së dhe ShBA-së. Pra, Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, tha kreu i AAK-së, kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai tha se kurrë Kosova nuk ka pasur raporte më të ftohta me partnerët strategjikë të vendit.

Haradinaj vazhdoi kritikat ndaj Kurtit, duke përmendur rastin kur, sipas tij, kryeministri e ka quajtur Sekretarin e Shtetit amerikan “naiv”.

“Unë mendoj se çdo veprim i Kurtit është në përputhje të plotë me agjendën e Serbisë dhe të Rusisë. Dora e tij përçarëse ka depërtuar edhe te bashkëkombësit tanë në Maqedoni e Preshevë. Bile, e bëri një përpjekje edhe në Shqipëri, por ju nuk e lejuat”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se Shqipëria ka bërë kujdes që nuk është përzier në fushatat e brendshme zgjedhore të Kosovës, dhe tha se këtë respekt të ndërsjellë do ta vazhdojë edhe Kosova.

“Por, kërkojmë ndihmën e Shqipërisë për diçka që është jetike për Kosovën, për sigurinë tonë të përjetshme, ndihmën për anëtarësimin direkt në NATO”, tha kryetari i AAK-së. 

Kurti: Kemi ndarë 4 milionë euro për Luginën – uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se të dyja shtetet kanë shumë punë për të bërë për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të të dyja shteteve.

Ai ka përmendur edhe poetin shqiptar Primo Shllaku me thënien e tij se “Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”.

“Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe dhe poashtu edhe për monitorimin e zbatimit tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.

“Kemi punë përpara për të bërë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për ndihmuar për sigurinë dhe jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, andaj ata kërkojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës”.

 

“Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë Kurti.

Osmani: Anëtarësimi në NATO do t’i jep fund apetiteve hegjemoniste e destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani në seancën e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë ka folur për integrimin evropian të vendit.

Para të pranishmëve, ajo tha se angazhimi i Kosovës për anëtarësim në BE është i pandashëm.

“Edhe Kosova si përherë mbetet me përkushtim të palëkundur për integrim evropian dhe angazhimi ynë në këtë drejtim është i përditshëm. Aspirata jonë nuk është për anëtarësim në BE nuk është vetëm një qëllim politik, por pasqyrim i asaj kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë, pasqyrim i identitetit tonë dhe i vizionit tonë. Kombi ynë mbrojti portën e fundit të Evropës qindra vite para se të themelohej BE, prandaj vlerat që qëndrohet BE-ja sot qëndrojnë edhe në themelet e kombit tonë”.

“Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet Kosova në këtë drejtim janë tejet të mëdha padrejtësisht ndaj kombit të Kosovës, sa vijnë e rriten, për ti përballuar këto na duhet mbështetja e Shqipërisë, BE do të jetë më i sigurt dhe më i plotë me shtetet tona”, tha Osmani.

Më tutje, ajo theksoi se: “Anëtarësimi në NATO do t’i jep përfundimisht fund apetiteve hegjemoniste e destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovë, për të arritur këtë të ardhme të përbashkët është jetike që ne të forcojmë bashkëpunimin, koordinimin vazhdimisht”.

Rama: Si ka mundësi që në Kuvend s’u ngrit asnjëherë asnjë rezolutë për gjykimin në Hagë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot tha se nuk mund të vi në Prishtinë, të flasë në Kuvendin e Kosovës ku u shpallë pavarësisë e të mos përmendet ish-presidenti Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Po e përkujtojë një thënie të Rexhep Qosjes sot: Do të udhëtojmë bashkë të gjithë ose nuk udhëtojmë, pa përfaqësuesit e UÇK-së nuk nisemi, as sot as nesër asnjëherë. Kështu mendojmë të gjithë. Vetëm bashkë”, tha Rama.

E ai tha se “Po ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së që Qosja i kërkonte me patjetër?. Pa Thaçin e shokët e tij që udhëtuan bashkë me Rugovën e Qosjen për të takuar historinë e shqiptarëve këtej bjeshkëve. Sot nuk e dimë dot çfarë rrugë do të kishte marrë fati i Kosovës në këtë shekull, por e dimë se ato qaste vendimmarrjesh të mëdha s’do të kishin ardhur dot ashtu siç erdhën dhe e sotmja me shumë gjasë do t’i ngjante shumë më tepër të shkuarës sesa të ardhmes pa UÇK-në me në krye Hashim Thaçin”,deklaroi Rama.

Ai tha se “Por sot kur jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpallë dhe u firmos pavarësinë e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi vazhdojnë e mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelinë ndërkombëtarë e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj, virtyte e drejtësisë të një shteti të së drejtës”.

Rama deklaroi se nuk e ka diskutuar ndonjëherë as të drejtën e kësaj gjykate.

“S’e kam diskutuar ndonjëherë e as sot të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi ka ngritur dorën për të formuar ajo gjykatë. Ajo që unë nuk vi dot deri në Prishtinë të marrë fjalën e pastaj ta gëlltisë në heshtje në këtë foltore para jush në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhepit është nyja e mbledhur në fyt nga një dyshim shumë i madh dhe krejt i arsyeshëm se ai proces është i parregullt ligjor dhe se normat e standardet e tij janë nën standarde të drejtësisë të të gjitha vendeve që e financojnë afetarë gjykate”, tha ai.

Rama tha s s’rri dot pa ua thënë vëllazërisht çudinë për faktin se në këtë sallë s’është ndërmarrë asnjëherë një nismë për t’iu kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike të paktën nga partitë shqiptare të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi.

“Për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësi. Ndoshta ky shqetësim mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është një gjë më e madhe, jo për ata njerëz thjeshtë as për Republikën e Kosovës, por edhe vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare që kjo Republikë përmes përfaqësuesve të saj në këtë sallë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën dhe prandaj nuk mund të lihet sipas meje në heshtjen shurdhuese që ushqehet prej gjithfarë motivesh nga fisniket në politikët, që ajo gjë ta bëjë dëmin e vetë deri në fund. Gjithsesi dua ta dini të gjithë ju këtu se nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do të ndërmerrte nismë për t’iu drejtuar shteteve sponsorizuese të Speciales e për të ndarë me to synimin e arsyeshëm për cenimin e të drejtës në këtë gjykim e nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej dhe Shqipëria, s’flasë për të tjerët Partia Socialiste do të angazhohej pa asnjë hezitim që kjo rezolutë të vinte në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Rama

Rama: Shqipëria në negociata për anëtarësim në BE, Kosova në listën e sanksioneve absurde të BE-së

Sot po mbahet seanca e përbashkët e kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në foltorën e Kuvendit tha se uron që edhe Kosova të shkëlqentë njëjtë si Shqipëria ndërkombëtarisht.

Ai po ashtu tha se Kosova dhe Shqipëria janë I vetmi komb në rajon që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e përëndimit.

Rama tregoi edhe për dëshirën e tij të zjarrtë në lidhje më Kosovën, e cila ka të bëjë me heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

“Dëshira ime e zjarrtë, e pa tregueshme dot me fjale, është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa tjetri në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut.

Së bashku me presidenten Osmani në Samitin me Bashkimin Evropian dy ditë më parë, kemi kënbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e Bashkimit Evropian, që janë penguar të lëvrohen për shkak të atynve masave të mos digjen”, ka thënë mes tjerash Rama.

Rama: Me presidenten Osmani këmbëngulëm që të hiqen masat, barra e fajit duhet t’i bjerë Serbisë, asnjë gram Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seancë e përbashkët mes dy kuvendeve, tha se dy ditë më parë në samitin me BE-në bashkë me presidenten Osmani kanë këmbëngulur për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Ai ato i quajti një “absurditet absolut” dhe tha se në sytë e shteteve europiane barra e fajit në raport me Serbinë duhet t’i bjerë “vetëm Serbisë”.

“Sot janë një absurditet absolut dhe se bashku me presidenten në samitin me BE-në dy ditë më parë, kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen. Por, ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran.

Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi s’duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës.

Ne duam që Kosova të njihet një orë e më parë nga të gjithë ato vende europiane që ngurojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat