Një përplasje e ashpër është zhvilluar mes kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt dhe analistit, Adrian Çollakut.
Çollaku ia ka rikujtuar Limajt se në vitin 2017 ka pasur mbështetje të madhe për Ramush Haradinaj, ndërsa e ka pyetur nëse posti i liderit mund t’i shkelë këtë mbështetje.
“Në 2017, blanko e keni mbështet Ramush Haradinaj, çka nëse posti në këtë rast i liderit apo i listës së koalicionit i shkel ato parime që i keni, a do t’i jepni mbështetje blanko?”, ka pyetur Çollaku.
Megjithatë, Limaj ka thënë se e ka një ekip të shkëlqyer të bashkëpunëtorëve, me të cilin punon 24 orë për të ndryshuar gjendjen në Kosovë.
“Çollak, ju po hini në hipoteza. Unë punoj 24 orë me ndryshu gjendjen në Kosovë. E kam një ekip të shkëlqyer të bashkëpunëtorëve”, është kundërpërgjigjur Limaj.
Për më tepër, Limaj ka kritikuar politikanët e rinj, të cilët flasin dhe veprojnë ndryshe.
“Nuk menoj diçka tjetër, me fol diçka tjetër e me ba diçka tjetër. Plotë u mush Kosova politikanë të tillë. Krejt tjetër gja menojnë, tjetër gja flasin. Qyqana, frikacaka, hipokritë, duhet me u liru Kosova prej kësaj”, ka thënë Limaj.