Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të përkujdesen për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortave dhe qëndrimit të delegacionit shtetërorë të Shqipërisë në Kosovë.
“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të organizojë seancë të përbashkët me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet sot, më 20 dhjetor 2024, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me rastin e seancës së përbashkët, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore nga Shqipëria, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortave dhe qëndrimit të delegacioneve shtetërore në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortave zyrtare, nën përcjellje dhe sigurim, sipas itinerarit të lëvizjeve si dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojnë eskortat dhe në afërsi të objekteve shtetërore.
Poashtu do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Sot në ora 11:00, mbahet seanca e përbashkët ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.