Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, po mbajnë seancë të përbashkët.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Parlamenti i Kosovës në fjalën e tij drejtuar dy kuvendeve tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë e në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që e kanë bërë urgjente anëtarësimin në NATO.
“Sulmet terroriste ndaj Kosovës ai në Banjskë e ky i fundit në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që vijnë nga e njëjta adresë, nga Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin në NATO”. Ai tha se si asnjëherë më parë kanës shtrirë sovranitetin në veri e sipas tij sulmet terroriste sporadike, të paramilitarëve të orkestruar e financuar nga Serbia, sipas tij janë shprehje e pafuqisë së tyre.
“Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt nën kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, tha tutje ai.
Tutje kreu qeveritar tha se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e fortë ushtarakisht. Sipas tij, investimet në vitet 2021-2023 arritën mbi 239 milion euro nga 4 milion sa ishin në vitet 2018-2020.
“NATO është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO, mirëpo Kosova po bën hapa gjigant drejt NATO-s. NATO-ja nuk ka armatim të vetin, e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare. Për dallim nga viti 2018-2020 kur kishim më pak se 4 milion investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milion euro investim në armatim e në municion. Pra, ne nuk duhet të anëtarësohemi në NATO pse nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse do të kontribuojmë”, tha ai.
Tutje kryeministri foli edhe për arritjet e përbashkëta, tha se Shqipëria është ndër 5 vendet e para që ka vëllimet më mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milion euro. Tha se janë të vetëdijshëm se nuk u lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet sepse tha se kanë shumë punë për të bërë jo vetëm për qytetarët që u takojnë të dyja shteteve, por për gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje. Ai tha se shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë.
“Shqiptarët në Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë. Prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk kanë faj që janë autokton. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milion për Luginën, uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, tha tutje ai.