Rexhep Selimi, ish-komandanti i UÇK-së i cili aktualisht është duke u gjykuar në Hagë, i ka dërguar një dhuratë simbolike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Rama ka pranuar një pikturë me përkrenaren e Skënderbeut nga koleksioni personal i Selimit.
Kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook shprehu emocionet dhe mirënjohjen për këtë dhuratë.
“I prekur nga kjo dhuratë e bukur prej koleksionit të pikturave të luftëtarit të UÇK-së Rexhep Selimi, i cili ma përcolli sot nga Haga përmes Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Shumë faleminderit me mirënjohje i dashur mik, e mezi pres ta shoh të marrë fund kalvari, gjithnjë e më i pajustifikueshëm i mbajtjes së të katërve ju peng atje në Hagë”, u shpreh Rama.