Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për, siç tha ai, mbështetjen zyrtare politike dhe publike të kauzës së drejtë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë.
“Jemi shumë mirënjohës kryeministrit Rama edhe për atë se çfarë tha sot në Kuvendin e Kosovës, por edhe për atë se çfarë thotë dhe bën Qeveria e Shqipërisë në mbështetjen zyrtare politike dhe publike të kauzës së drejtë të presidentit Thaçi të kryetarit Veseli të kryetarit Krasniqi dhe të deputetit Selimi, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë”, tha ai.
Në vlerësimin e tij Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit e të gjithë ushtarët e tjerë të UÇK-së të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë do të kthehen në Kosovë si fitimtar dhe faqebardhë.
“Për ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës është e papranueshme përpjekja për ta rishkruar historinë duke e zëvendësuar viktimën me agresorin”, shtoi ai.
Rama në fjalimin e tij në Kuvendin e përbashkët Kosovë-Shqipëri foli epër shqetësimet që ka sa i përket pavarësisë së Gjykatës Speciale.
Ai vlerësoi se Gjykata Speciale në çdo hallkë ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës.
Gjithashtu ai kritikoi Kuvendin e Kosovës që nuk kanë ndërmarr një hap për miratim të një Rezolute me të cilën do të kërkohet që të adresoheshin shqetësimet lidhur me pavarësinë e Gjykatës Speciale.