​Pikat e karburantit, naftëtarët: Çështja e licencave rrezikon bizneset

Aktuale

​Pikat e karburantit, naftëtarët: Çështja e licencave rrezikon bizneset

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 15:04
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për çështjen e licencave pas skadimit të afatit më 23 dhjetor për pikat e karburanteve.

Në mbledhjen e kuvendit të kësaj shoqate, kryetari Fadil Berjani tha se zbatimi i ligjit të naftës, i cili është miratuar pas dhjetë vjet shtyrjeje në Kuvend, do të ishte i rëndësishëm pasi aty janë inkorporuar edhe kërkesat e naftëtarëve.

“Unë e shoh situatën në sektorin e naftës në nivelin më të duhur të rregulluar, duke përmendur ligjin e naftës, i cili ka kaluar pas një dekade. Në ligj janë të inkorporuar të gjitha kërkesat tona të shoqatës së naftëtarëve dhe në udhëzime administrative. Për vitin 2025 prioritet do ta kemi kontrollin e cilësisë, i cili merr mostra dhe biznesi paguhet. E kemi marrë një premtim nga Ministria e Tregtisë që biznesi nuk do të paguajë, por do të paguajë shteti. Sa i përket institucioneve janë edhe disa kërkesa tona sidomos ndërtimi i pikave të karburantit të jetë me kritere…dihet që nëpër komuna 10 kilometra, autostrada 25-30 km, rrugët nacionale 20 km. Kështu që ne iu kemi drejtuar disa herë institucioneve dhe shpresojmë dhe besojmë që do të realizohet. Punë tjetër që priten të bëhen në vitin 2025 është edhe kyçja në rrugë. Kyçja në rrugë nuk do të varet nga Ministria e Tregtisë, por varet nga Ministria e Transportit. Presim një përgjigje, ku në mënyrë automatike kyçja në rrugë e zvogëlon edhe ndërtimin e pikave të karburanteve, sepse po ndërtohen pika tepër shumë dhe nuk është e arsyeshme”, tha Berjani.

Tahir Zogaj nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës shprehu shqetësimin për afatin e skadimit të licencave për pikat e karburantit më 23 dhjetor. Ai theksoi se sipas ligjit të legalizimit, të gjitha pikat pa leje ndërtimi ose pa leje përdorimi nuk mund të pajisen me licencë pas kësaj date. Ai ka kërkuar që afati për pajisjen me licencë të shtyhet deri në fund të vitit 2025.

“E kemi edhe një shqetësim i të gjithëve nga data 23 i këtij muaji skadon afati për pajisje me licencë pa leje ndërtimi ose leje përdorimi…Ligji 06L/2024 për kërkesën për legalizim është deri në fund të vitit 2025. Ne si Kuvend kishte me qenë mirë për ta dërguar të gjitha bizneset që t’i drejtohemi ministrisë me një vendim, sepse ky është udhëzim ka kaluar në gazetën zyrtare, është problem të zgjatet afati. Por, me mirëkuptim dhe dashamirësi mund të realizohet. Pra, të lihet ende pika 2, sepse nga pika 1 e nenit 5 e sanksionon që pas datës 23 nuk mund të pajisjet askush me licencë pa leje ndërtimi ose pa leje përdorimi. Unë kisha thënë si kriter këtu që të paktën derisa është ligji në fuqi për legalizim të lejohet edhe aplikimi për legalizim”, tha ai.

Drejtori i Departamentit të Naftës në Ministrinë e Tregtisë, Bujar Mustafa tha se procesi i pajisjes me licenca nuk dëmton bizneset.

“Kur kemi miratuar udhëzimin administrativ, ne kemi pasur parasysh dhe i kemi dhënë afat 24 muaj të mendojnë. Në asnjë rast nuk ka për qëllim ta dëmtojë biznesin për të marrë leje… Por, ka pasur për të vetëdijesuar për të lëvizur në këtë drejtim. Për arsye se një numër shumë i madh i pikave të karburantit janë pa leje ndërtimi, pa kritere…Kjo skadon më datën 23”, tha Mustafa.

Përfaqësuesi i njërës nga pikat e derivateve, Izet Gashi, theksoi se Kosova “po vuan shumë prej licencave të tepruara.” Ai ka pyetur nëse mund të lehtësohet marrja e licencave për hapjen e karburanteve në veri.

“Kosova po vuan shumë prej licencave të tepruara. Ambienti i të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet dita-ditës duke shpikur lloje të licencave dhe duke ngulfatur bizneset që ne i kemi ndërtuar këtu…e kam një pyetje për Bujarin, por edhe kryetarin. Pse në autostradat tona aq bukur të ndërtuara nuk kemi pikë karburanti, nuk kemi karburant? Çka ndodh me neve? Në pjesën e Shqipërisë, karburanti është shumë shtrenjtë, kurse në Kosovë rruga është shumë e mirë, por karburant nuk mund të marrim askund. Në aspektin e të bërit biznes është një faktor kufizues. Tjetër pyetje kam për pjesën e veriut. Ende s’kam qenë andej, por a mund të lehtësohet marrja e licencave për hapjen e karburanteve”, tha Gashi.

Për këtë, Mustafa tha se kriteret për hapjen e pikave të karburantit në veri nuk dallojnë nga pjesa tjetër e vendit.

“Sa i përket për veri edhe në veri janë të gjitha kriteret, nuk e kemi asnjë kriter më pak. Edhe në veri janë të gjitha kriteret njëjtë si në të gjitha pjesët e tjera të Republikës së Kosovës. Nuk e kemi asnjë kriter më pak e as më shumë”, tha ai.

Ndryshe, Ligji për Naftën ka kaluar pas 10 vjet shtyrjeje në Kuvend gjë e cila sipas ministres Hajdari kishte shkaktuar informalitet në treg. Sipas saj, sektori i naftës tashmë ka një ligj që përcakton standardet dhe direktivën e BE-së, por obligon Qeverinë të nxjerrë udhëzimet për cilësinë e naftës dhe rritjet e parametrave në laboratorin e doganës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat