ATK digjitalizon certifikatën e rezidencës tatimore

Aktuale

ATK digjitalizon certifikatën e rezidencës tatimore

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka lansuar sot shërbimin më të ri elektronik, i cili mundëson pajisjen me certifikatë të rezidencës tatimore në mënyrë digjitale.

Ky shërbim është prezantuar në takimin e përbashkët të organizuar nga ATK, në të cilin pjesëmarrës ishte Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, Arben Salihu përfaqësues nga GIZ-i, si dhe Kushtrim Canolli nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve të Administratës Tatimore, duke eliminuar koston kohore dhe financiare për një numër të madh të tatimpaguesve. Përmes këtij shërbimi elektronik, tatimpaguesit do të kenë mundësi të aplikojnë për certifikatë të rezidencës tatimore pa pasur nevojë për të vizituar fizikisht zyrat e ATK-së, duke kontribuar kështu në efikasitet dhe transparencë të shtuar në proceset administrative.

Ministri Murati vlerësoi këtë hap si një shembull konkret të digjitalizimit të administratës dhe lehtësimit të barrës administrative për qytetarët dhe bizneset. “Digjitalizimi i shërbimeve publike mbetet një nga prioritetet tona kryesore, dhe ky shërbim i ri elektronik dëshmon angazhimin tonë për të ndërtuar një administratë më të qasshme dhe më efikase,” deklaroi Ministri Murati.

Nga ana tjetër, Drejtori Murtezaj, theksoi rëndësinë e këtij shërbimi për tatimpaguesit dhe përkushtimin e institucionit për të vazhduar me inovacione të tjera në të ardhmen. “Ky proces i rëndësishëm i digjitalizimit të Certifikatës së Rezidencës Tatimore është mundësuar falë mbështetjes së zyrës së BE në Kosovë dhe GIZ-it. Përmes ekspertizës dhe asistencës teknike të ofruar, është ndihmuar Administrata Tatimore e Kosovës të modernizojë shërbimet e saj”.

Murtezaj tha se automatizimi i CRT shënon shërbimin e 58 me radhë, të cilën e ofron platforma e-deklarimi EDI.

Ndërsa, Salihu tha se për ne, si GIZ, është kënaqësi e veçantë të jemi pjesë e këtij projekti, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës publike dhe digjitalizimit të shërbimeve në Kosovë.

Lansimi i shërbimit elektronik për certifikatat e rezidencës tatimore është një dëshmi e qartë se përkushtimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve si Administrata Tatimore e Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të sjellin rezultate konkrete, që përmirësojnë cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Projekti është realizuar me mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe GIZ-it, dhe është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për modernizimin e shërbimeve publike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat