Kryeministri Albin Kurti sërish është ftuar në Prokurorinë Speciale. Meqenëse nuk i është përgjigjur ftesës së parë, ai është ftuar sërish për të dëshmuar.
Ftesën e prokurorisë për kryeministrin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, ka thënë Kryeziu.
Pas kësaj ka reaguar në facebook avokati Ardian Bajraktari. Ai e ka këshilluar kryeministrit Kurti që të shkoj në prokurori.
Ai shkruan se ‘nuk do të doja që kryeministri i vendit tim të ndëshkohej (pavarësisht vlerës së ndëshkimit) për mos shkuarje dhe mos arsyetim të saj’.
Postimi i plotë:
Po të këshillojnë keq, shko Kryeministër, shko në Prokurori!
Për të hënën, më 16 dhjetor, nga dikush u kuptua, e nga dikush u keqkuptua, e mbi të gjitha u mirëkuptua pa mundësia objektive për të qenë i pranishëm, në ambiente të Prokurorisë, Kryeministri i vendit tim.
Nuk do të doja që kryeministri i vendit tim, vend i ndërtuar me shumë mund e sakrificë, bashkë me aleatët - shtetet më demokratike në botë, i përballur me padrejtësi dhe me trajtim ndryshe e trajtim të pa barabartë të mos i përgjigjej një ftese të tillë, nuk do të doja që kryeministri i vendit tim të ndëshkohej (pavarësisht vlerës së ndëshkimit) për mos shkuarje dhe mos arsyetim të saj.
Dëmi është më i madh që i bëhet dhe mund t’i bëhet vendit në raport me çfarëdo kalkulimi apo përfitimi momental.