Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe specialisti i Ballkanit, Edward Joseph ka thënë në një intervistë ekskluzive në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, se Kosova duhet të mbrojë sovranitetin e vendit, duke ulur tensionet në veri.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë Donald Trump. Pra, duhet ta lëmë këtë për një moment Kushtrim. Duhet të përqendrohemi tek ajo që mund ta bëjë Kosova, dhe ajo që mund të bëjë Kosova është ta mbrojë sovranitetin e vendit duke ulur tensionet në vend, duke ndaluar këtë posturë konfrontuese në veri”, ka thënë Joseph.
Joseph ka dhënë detaje për një plan pesëpikësh që do ta ofronte nëse do të ishte kryeministër i ri pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Ajo që do të bëja unë, nëse do të isha kryeministri i ri pas zgjedhjeve, ditën e parë, Kushtrim, ditën e parë, do të ofroja një plan pesëpikësh për një qasje konstruktive dhe pozitive për zhvillimin e Veriut, dhe ky plan do të kishte një komponent sigurie, një komponent arsimi, një komponent shëndetësie, të kishte të gjitha këto komponentë”, ka thënë Joseph.
Ndër pikat e para, Joseph ka thënë se do të përfshinte riaplikimin e serbëve në Policinë e Kosovës.
“Do ta kisha një plan shumë të qartë dhe për këtë ta jap një shembull konkret, shembull në siguri. Do të ftoja të gjithë serbët e Kosovës që lanë policinë, të ri-aplikojnë”, ka thënë ai në “Politiko”.
Joseph ka folur për rëndësinë e integrimit të serbëve si qytetarë të Kosovës.
“Kjo është në interesin e shqiptarëve. Kujto çfarë thashë, sa më shumë serbët e Kosovës të integrohen si qytetarë, dëgjo Kushtrim kjo është kaq e rëndësishme. Sa më shumë të integrohen si qytetarë aq më pak ndikim do të ketë Serbia”, ka thënë Joseph.