Kuvendi i Kosovës dhe i Shqipërisë mbajtjen sot një seance të përbashkët në Prishtinë. Të dy Kuvendet, mes tjerash u zotuan se do të ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Deputeti nga Shqipëria Kreshnik Çollaku i cili ishte i pranishëm në këtë mbledhje tha se ky ishte një moment historik.
Sipas Çollakut, në këtë mbledhje u dhanë mesazhet e qarta.
"Është një moment jashtëzakonisht emocional por poashtu mendoj se u dhanë mesazhe të qarta, dhe mendoj se mesazhi i madh është dhënë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur", deklaroi ai.
Megjithatë ai thekson se shpreson që ky të jetë takimi i fundit ceremonial i kësaj natyre.
"Duhet që këtë bashkim të dy parlamenteve ta institucionalizojmë, pra të krijohen më tej institucione të dyja parlamenteve, përmanente, që të nxisin më tej që ta bëjnë të plotë bashkëpunimin unifikimin e politikave tona", tha mes tjerash ai.
Duke e quajtur këtë takim "festë", Çollaku tha se këtë festë e prishi vetëm fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. "E vetmja gjë që nuk më pëlqeu, që mu mendoj se tentoi të prishte festën ishte fjalimi i Ramës", tha deputeti demokrat.
Sipas deputetit demokrat, fjalimi i Ramës ishte provokim karshi kryeministrit Kurti. "Unë mendoj se ishtë një fushatë elektorale kundër kryeministrit Kurti", tha ai.
Lidhur me deklaratën e nënshkruar nga të dy Kuvendet, se do të ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare, Çollaku tha se është jetike unifikimi i politikës së jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë.
"Na duhet unifikim i plotë i qasjes tonë, i të folurit kudo me të njejtën gjuhë, me të njejtat qëndrime, qoftë në raportet me Serbinë, qoftë në raportet rajonin, qoftë në raport me qendrat e mëdha vendimmarrëse, Uashington, Bruksel dhe gjithë kryeqytetet e botës. Është jetike që Tirana dhe Prishtina të flasin me të njejtin zë", deklaroi Kreshnik Çollaku, i cili mes tjerash tha se Shqipëria e ka vënë në pozitë të vështirrë shpesh Kosovën.
"Tema për Open Balkan, propozimet e Ramës për Asociacionin, qëndrimet ndaj Serbisë, raporti me ndërkombëtarët, Tirana, Rama ka tentuar ta anashkalojë Prishtinën, ta projektojë si një xhep të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, e Kosova në fakt është epiqendra e marrëdhënieve shqiptaro-serbe", tha mes tjerash ai.