Edhe dhjetë ditë nga mbyllja e AKP-së, çka do të ndodh me këtë agjenci pas 31 dhjetorit?

Aktuale

Edhe dhjetë ditë nga mbyllja e AKP-së, çka do të ndodh me këtë agjenci pas 31 dhjetorit?

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 08:45
Foto ilustrim

Agjencia e Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hartuar një strategji për mbylljen e saj, e cila ka paraparë që deri më 31 dhjetor 2024 të shuhet ky institucion.

Kjo strategji fillimisht ishte mbështetur edhe nga vetë kryeministri Albin Kurti gjatë një vizite që kishte pasur në AKP.

“Do ta shuajmë AKP-në, nuk do t’i i lëmë me vjedhë më, sepse kanë vjedhë shumë’’.

Kështu kishte deklaruar Kurti tri vjet më parë, me të marrë mandatin si kryeministër i Kosovës.

Ky institucion jo që nuk u shua, por vazhdoi me shitjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.

“Ne i dalim zot premtimeve tona për qytetarët e Republikës të cilët në mënyrë plebishitare na e kanë dhënë votën. Pra, na e kanë realizuar fitoren. 50.28 për qind kanë votuar për fitoren tonë, një fitore e pa parë në Kosovën e pas luftës dhe AKP-ja kemi thënë që do të shuhet dhe AKP-ja do të shuhet. Por, që të shuhet AKP-ja, është e rëndësishme që një herë të shkarkohet Bordi, se kanë vjedhë shumë, por na nuk i lëmë me vjedhë më. Kanë vjedhë me paga, kanë vjedhur me privatizimin. Janë paguar për të vjedhur... Dy dekada të Kosovës pas luftës, janë dekada të tjetërsimit dhe të deindustrializimit nëpërmjet privatizimit. E kjo duhet të marrë fund. E me rroga shumë të larta mbase më të lartat në vendin tonë për këtë të keqe kaq të madhe si asnjë tjetër në Kosovën e pas luftës. Kjo është arsyeja që na nevojitet një bordi i ri, që mision ka shuarjen e AKP-së”, ka thënë Kurti në një seancë parlamentare në maj të vitit 2021.

Po ashtu, gati një vit më vonë, gjatë një vizite në AKP, Kurti ka vlerësuar se çështja e parë dhe më rëndësishmja është përgatitja e strategjisë për mbylljen e AKP-së.

“E para është përgatitja e strategjisë përmbyllëse të AKP-së, e dyta është identifikimi i aseteve të cilat do të mund të transferohen në Fondin Sovran, tash së fundmi Qeveria e ka pranuar nga grupi punues koncept-dokumentin për Fondin Sovran…”, ka thënë Kurti dy vjet më parë gjatë vizitës në AKP.

Po kështu edhe kryesuesi i Bordit të AKP-së, Mentor Hyseni gjatë një raportimi muaj më parë në Komisionin parlamentar për ekonomi, ka thënë se “kemi dërguar një strategji që parashohim mbylljen e AKP-së në fund të këtij viti”.

Sipas tij, si rezultat i kësaj, kanë bërë klasifikimin e gjitha aseteve e 32 mijë hektarëve tokë në rreth gjashtë kategori.

“Ne e kemi dërguar një strategji që parashohim mbylljen e AKP-së në fund të këtij viti, dhe si rezultat kemi bërë klasifikimin e gjitha aseteve e 32 mijë hektarëve tokë në rreth gjashtë kategori. Mbyllja e AKP-së, nuk varet vetëm prej AKP-së, është realitet ai. Mendoj se aktivitet kryesore siç janë shitja dhe transformimi i pronës mund të finalizohen në fund të vitit”, ka thënë Hyseni muaj më parë në Komisionin për ekonomi.

Në atë mbledhje kryetari i Komisionit për ekonomi, Ferat Shala pretendimet për mbylljen e AKP-së i kishte quajtur mashtrime. Ai kishte pyetur se “Ka pasur mashtrime për vitin e kaluar, apo na mashtroni edhe sivjet për mbylljen e AKP-së?

“Realisht na kanë mashtrua vjet, a po na mashtroni edhe sivjet. Pse nuk e keni bërë një deklaratë më herët”, ka thënë Shala.

Për këtë pati reaguar Hyseni duke thënë se nuk ka mashtrime sa i përket mbylljes së AKP-së.

“Jo, unë nuk besoj që është mashtrim kryetar…”, është përgjigjur Hyseni.

Pavarësisht deklaratave, më 17 tetor të këtij viti është hapur konkursi për drejtor menaxhues në AKP me mandat 4-vjeçar.

KosovaPress gjatë ditës së hënë ka kërkuar përgjigje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Qeverinë e Kosovës lidhur me veprimtarinë e AKP-së, por deri në publikimin e shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj ka thënë për KosovaPress se mbyllja e AKP-së nga ana e Qeverisë së Kosovës ka pasur tendenca për çështje elektorale dhe popullizëm.

“Ka qenë gabim dhe ka pasur vetëm tendenca për elektorat dhe populizëm që qeveria ta mbyll AKP-në, sepse AKP-ja si institucion nuk ka qenë problemi, ajo ka qenë në rregull, vetëm ka pasur keqpërdorime që i bie edhe opinione vetëm është dashtë që të ngritët niveli i punës dhe vigjilencës në atë institucion. Tash po shihet që çdo shfajësim, Qeveria për shumë premtime që ka dhënë, tash gjithmonë po shfajësohet që nuk po na lejon ligji ose kushtetua, por Qeveria aktuale dhe Kryeministri nuk kanë pikur që dje në Kosovë... Nuk mundesh ti ta ndryshosh vektorin as kushtetues por as ligjvënës dhe po ashtu as orientimin e ekonomisë së Kosovës, AKP-ja në parim ka pasur thjesht privatizimin e ish ndërmarrjes shtetërore dhe publike e cila do të thotë me u kthye në kapital privat që është diçka normale në ekonominë e tregut”, ka thënë Kadrijaj.

Shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, krijimi i një Fondi Sovran dhe i një Banke Zhvillimore kanë qenë tri pikat kryesore për ekonomi në programin e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat