Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë nuk i ka gjetur institucionet e as qytetarët në befasi, thotë ish-deputeti Rrustem Mustafa. Kjo sipas tij, për shkak se përshkallëzimet në rajon, dhe përtej, ka një kohë që janë duke ndodhur.
Mustafa, duke folur në një intervistë për KP, thotë se agresioni ruso-serb po përpiqet të gjejë vende të përshtatshme për përshkallëzim.
Mustafa: Ka kohë që gjendemi para sulmeve ndaj shtetit tonë
“Ka një kohë që gjendemi para sulmeve ndaj shtetit tonë, nga qarqe përtej Serbisë, të organizuara mirë dhe duke tentuar që të përshkallëzojnë situatën jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë regjionin. Institucionet me mekanizmat e sigurisë të vendit, sado që janë në nivel detyre, kanë treguar edhe herë të tjera që janë në krye të detyrës. Inteligjenca është duke funksionuar, por prapë se prapë sfida me të cilën përballemi ne, duke e llogaritur krejt se kush qëndron prapa, arritën të bëjnë një dëm të konsiderueshëm. Mirëpo shpejt institucionet dolën në vendin e ngjarjes dhe po grumbullojnë fakte që kushdo qofshin ata të gjinden para drejtësisë...Është sulm i rëndë, sulm që nuk i ka gjetur institucionet e vendit e as popullin e Kosovës në befasi, ngase ka një kohë të gjatë që përshkallëzimet në rajon dhe përtej rajonit janë duke ndodhur. Është sulm që neve na ka këndell dhe po mundohemi që të bëjmë preventiva e të angazhohemi që bashkë me miqtë tonë ndërkombëtarë të mos lejojmë këso sulme”, thotë ai.
Më 29 nëntor kanali i ujit i Ibër-Lepencit u dëmtua nga një shpërthim i madh.
Autoritetet e Kosovës e konsideruan sulm terrorist që vjen nga bandat e mbështetura nga Beogradi zyrtar.
Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar si dhe ka konfiskuar arsenal armësh dhe dëshmi të tjera që lidhen me sulmin.
Sipas Mustafës, ka një koordinim të mirë të të gjithë mekanizmave të sigurisë të institucioneve të vendit “bashkë edhe me KFOR-in dhe të tjerët që kanë interes për ruajtjen e vendit dhe qetësisë edhe për zhvillimin e sigurisë sa më mirë në vendin tonë”.
Mustafa: Agresioni ruso-serb po mundohet të gjejë vende të përshtatshme për përshkallëzim
“Jemi me fat që profesionistë të nivelit shumë të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë punuar për ruajtjen, rendin dhe sigurinë në Amerikë, por edhe në vatrat e krizës që ishin gjithandej në botë, ka më shumë se dy vite që kanë kontaktuar institucionet e vendit dhe qeverinë dhe po mundohen të sjellin program të qartë për siguri në vend dhe po asistojnë qeverinë qoftë me informata, qoftë me mundësi zhvillimore. Dëmet në Banjskë, në Zveçan dhe kudo që mund të ndodhin, ne me vëmendje i përcjellim dhe reagojmë. Dhe, unë besoj që bashkë me miqtë tonë ndërkombëtar dhe djemtë tonë që janë kalitur nëpër trajnime në vendet më të mira perëndimore, kanë marrë përgjegjësitë e veta dhe po punojnë me të gjitha hallkat dhe strukturat për të ndaluar agresionin ruso-serb që po mundohet të gjejë vende të përshtatshme për të përshkallëzuar dhe për të shkaktuar probleme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, thotë ai.
Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi një vit pasi terrositët serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke e vrarë rreshterin Afrin Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit në Zvecan e kishte marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.