Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa thotë se masat ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë, meqë siç thekson ai, janë të padrejta.
Shteti nuk e ka merituar vendosjen e tyre, thotë Mustafa, sipas së cilit Kosova po qëndron në rrugën e saj.
Mustafa: Masat ndaj Kosovës, të padrejta
"Unë nuk e arsyetoj, por e mirëkuptoj një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që duhet të qëndrojë afër politikave ndoshta edhe bllokut të lindjes të Rusisë, për të ruajtur raportet apo interesat e tyre dhe ata po i përdorin disa mekanizma për të sulmuar vlerat në vendin tonë. Kosova nuk e ka merituar vendosjen e masave. Unë besoj këtë tani e dinë edhe shumë miq tanë sepse ata dëshirojnë dhe shtyjnë faktorët e bashkësisë evropiane për të hequr masat, ata ende nuk kanë lëvizur. Besoj që shpejt duhet të hiqen ato masa nga vendi ynë. Janë të padrejta, janë të padinjitetshme dhe janë shumë të paarsyeshme. Ka një varg orkestrimesh të qarqeve të bashkësisë ndërkombëtare që janë duke vazhduar ende ta sulmojnë Kosovën me çdo mjet. Kosova po qëndron mirë në rrugën e saj. Ne duhet të ecim bashkë me miqtë tonë për zhvillime të mëtutjeshme”, thotë Mustafa.
Në qershor të vitit të kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Por, në mesin e këtij viti, ish-përfaqësuesi i lartë i bllokut, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre por kjo çështje ende vazhdon të diskutohet nga vendet anëtare të BE-së.
Në një intervistë për KosovaPress, Mustafa flet edhe për projektligjet e miratuara së fundmi nga Qeveria e Serbisë, për “juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë”.
Mustafa: Janë provimet e fundit të shtetit serb
"Janë provimet e fundit të shtetit serb që me çdo mjet, me çdo kusht sulmoi vlerat e shtetit të Kosovës. Ata po përpiqen që ta tregojnë narracionin e tyre për vendin tonë, vendi ynë është i pavarur tani, ka krijuar njohje nga shumë shtete dhe ka miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjinden në rrugën e forcimit institucional të dukshëm që vërehet nga të gjithë dhe po mbështetet nga fuqitë kryesore të botës dhe ne nuk do ndalemi në forcim të shtetit dhe së drejtës dhe ecjes përpara", thotë Mustafa.
Ky veprim i Serbisë u kritikua edhe nga faktori ndërkombëtar.
Por, sipas Mustafës, Bashkimi Evropian tash e një kohë i bën lëshime Serbisë.
Mustafa: BE që një kohë të gjatë i bën lëshime Serbisë
"Bashkimi Evropian ka një kohë të gjatë që i bën lëshime Serbisë. Unë nuk po jam i sigurt ta di pse, nëse mundet me qenë, sepse ka zëra që thonë që duhet joshur Serbinë për ta tërhequr nga aleancat me Rusinë, aleancat të cilat janë të vjetra, të cilat janë të mjeshtëruara jo vetëm tani por edhe historike, ata secilën herë, Serbia edhe më fortë lidhet me bllokun rus dhe unë e di që ajo është pjesë përbërëse e mekanizmave të Rusisë, nuk mundet me e arrit Evropa këtë. Ajo duket se është duke vepruar, mirëpo ka edhe mendime se ka njerëz, ka pushtete, ka qeveri nëpër Evropë, që janë afër ende me ndikim nga Rusia dhe Serbia", thotë ai.
Mustafa thotë se Kosova duhet t’i përgjigjet sfidave me zhvillim dhe mirë-organizim të shtetit.