​Licensohen mbi 900 inxhinierë

Aktuale

​Licensohen mbi 900 inxhinierë

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 12:29
Foto nga takimi

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen konstituive ku janë licensuar mbi 900 inxhinierë.

Të shtunën pritet që pas përfundimit të punëve të kuvendit të parë, të bëhet zyrtarisht edhe themelimi i kësaj ode.

Ministri i Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se me rastin e themelimit të Odës së Inxhinierëve të Kosovës deri më tani janë regjistruar 675 inxhinierë dhe 910 të tjerë u licensuan.

Aliu: Licensohen 910 inxhinierë

“Meqë sot po e themelojmë Odën e Inxhinierëve, nga inxhinierët e gjithë vendit tonë, sot deri më tani 675 inxhinierë të regjistruar nga 910 sosh të cilët e marrin licensën, licensohen. I bie që kemi një pjesëmarrje masive dhe gatishmëri e vullnet nga të gjithë ju që ta themelojmë dhe të vendosim një rend edhe më të mirë sesa ku që e kemi në fushën e inxhinierisë. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm dhe e kemi prit me kohën dhe jemi munduar të sigurojmë sa më shpejtë licensimi dhe të arrijmë të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës. Kemi qenë të hendikepuar. Nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licensa. Licensa është e domosdoshme pasi diplomën është ajo që ti e merr dhe do ta kesh përherë. Ndërsa, licensën është ajo që ti duhet ta bësh në vazhdimësi ta azhurnosh në mënyrë që të jesh në linjë përherë me nivelin e zbatimit të ligjeve në fushën e ndërtimeve dhe të gjithë arritjeve shkencore që bëhen”, tha Aliu.

Themelimi i kësaj ode u bë në kuadër të projektit të GIZ-it, i financuar nga BE-ja dhe qeveria gjermane, duke mbështetur Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrasturukturës në zhvillimin e bazës ligjore.

Përfaqësuesja e GIZ-it, Venera Aqifi tha se themelimi i kësaj ode është një moment shumë i rëndësishëm për forcimin e strukturave të inxhinierisë në Kosovë.

Aqifi: Themelimi i Odës së Inxhinierëve, hap i rëndësishëm

“Themelimi i Odës së Inxhinierëve si hap i parë në këtë proces po besoj që do të luaj një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve publike duke përmirësuar shërbimet publike por gjithashtu duke ndikuar edhe në modernizmin e shërbimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë. Në kuadër të projektit tonë, të financuar nga BE dhe qeveria Gjermane dhe që implentohet nga GIZ, ne kemi mbështetur MMPHI në zhvillimin e bazës ligjore, dhe ky është hapi themelor që ndikon në themelimin e Odave që po besoj do të jenë përgjegjëse dhe do ta mirëpresin edhe sistemin e licencimit të inxhiniereve që jemi në proces të prokurimit dhe së shpejti po besoj që gjatë vitit të ardhshëm edhe thirrjen e radhës për licencim ta bëjmë përmes sistemit digjital pa pasur nevojë për procedura shtesë, kohë dhe ngarkesë për profesionistët siç jeni ju. Përmes këtij projekti ne gjithashtu jemi në zhvillimi të procedurave për thjeshtësim dhe digjitalizim të më shumë se 30 shërbimeve”, tha Aqifi.

Ndërkaq, udhëheqësi i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu tregoi historikun dhe sfidat të cilat të janë tejkaluar deri në themelimin e kësaj ode.

Ai tha se oda e inxhinierëve do të jetë përgjegjëse për licencimin e inxhinierëve, promovimin e standardeve etike dhe profesionale, mbështetjen dhe edukimin profesional e të tjera.

Spahiu: Roli i Odës së Inxhiniereve është që të mbështes profesionin e inxhinierisë

“Në janar të vitit 2022 u miratua Ligji për Odën e Inxhiniereve i plotësuar pastaj edhe me aktet plotësuese nënligjore duke mundësuar juridike të krijimit të Odave. Roli i Odës së Inxhiniereve është që të mbështes dhe zhvillojë profesionin e inxhinierisë duke siguruar standarde të larta etike dhe profesionale si dhe duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe njohurisë në fushën e inxhinierisë. Oda e inxhinierëve do të jetë përgjegjëse për licencimin e inxhinierëve, promovimin e standardeve etike dhe profesionale, mbështetjen dhe edukimin profesional, mbrojtjen e interesave të profesionistëve të fushës dhe publikut si dhe mundësinë e bashkëpunimit dhe këshillimit profesional”, theksoi Spahiu.

Kryesuesi i Komisionit Ministror për Themelimin e Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, Xhemail Metolli tha se ngjarja e sotme është një rast i rëndësishëm në historinë e inxhinierisë dhe zhvillimit profesional në Kosovë.

Pasi sipas tij bëhet konsolidimi i profesionit të inxhinierëve dhe ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit mes profesionistëve.

Metolli: Themelimi i Odës, rast i rëndësishëm në historinë e inxhinierisë

“Themelimi i Odës së Inxhinierëve të Kosovës si institucion i nevojshëm është një rast i rëndësishëm në historinë e inxhinierisë dhe zhvillimit profesional në Kosovë për konsolidimin e profesionit të inxhinierëve në Kosovë duke udhëhequr koordinimin e zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori si dhe ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit mes profesionistëve…Siç e dini me ligj themelohen dy oda, Oda e Arkitektëve dhe Oda e inxhinierëve ne fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike. Një ndër to rregullohet anëtarësimi në oda, përcaktohet selia, statusi i tyre, roli dhe fushëveprimtaria e odave, profesionet, licensat, përgjegjësinë disiplinore dhe edukimin e vazhdueshëm të inxhinierëve në fushën e ndërtimit…Është i rëndësishëm krijimi i mundësie për inxhinierët e rinj që të zhvillohen profesionalisht përmes trajnimeve, për edukim të vazhdueshëm dhe pjesëmarrje në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare”, potencoi Metolli.

Përveç kësaj, kuvendi i parë i kësaj ode filloi punimet në Prishtinë duke organizuar procesin e votimit për zgjedhjen e Organeve të Përkohshme të Odës së Inxhinierëve, Anëtarë të Bordit Drejtues, Anëtarë të Komisionit Disiplinor dhe Anëtarë të Komisionit për Ankesa.

Pritet që në orët e mbrëmjes të përfundojë procesi i votimit, të numërohen votat dhe të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Odës nga radhët e anëtarëve te Bordit Drejtues. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat