Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i heq, sa më parë dhe plotësisht, masat ndëshkuese ndaj vendit. Për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës optimist janë njohësit e integrimeve evropiane.
Pas miratimit të konkluzave të ministrave të BE-së ditë më parë, ndër të cilat thuhet se BE-ja gradualisht do t’i heq masat, paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për depërshkallëzuar tensionet në veri, në ekzekutiv theksojnë se Kosova s’ka iniciuar tensionet në veri.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress se bazuar në situatën aktuale në teren dhe rekomandimin e ish-përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, Kosova ka përmbushur anën e saj të dakordimit të Bratislavës për shtensionimin e gjendjes në veri të vendit.
Sipas tij, pas kësaj s’ka asnjë arsye që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të jenë në fuqi.
“Prej vendosjes së masave ndaj Kosovës, vendi ynë ka qenë target i dy sulmeve të mëdha terroriste. Fillimisht në Banjskë të Zveçanit, me 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Dhe pastaj me 29 nëntor 2024 në Zubin Potok ku cak ishte infrastruktura kritike. Sulmi i parë kishte për qëllim ankesimin e veriut të vendit. Ndërkaq sulmi i dytë kishte për qëllim ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale dhe çrregullimin e jetës shoqërore e qytetare, institucionale dhe ekonomike. Në anën tjetër, Republika e Kosovës e ka përmbushur anën e saj të dakordimit të Bratislavës. Ka 6 muaj prej kur z. Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës. Ka kohë që nuk ka më asnjë arsye valide që masat të jenë në fuqit. Ne i bëjmë thirrje BE-së që të heq masat sa më parë dhe plotësisht, bazuar në situatën aktuale në terren dhe rekomandimit të ish Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell. Dhe të kthej shikimin kah Serbia e cila vazhdimisht ka pasur sjellje agresive ndaj Kosovës dhe është burim i tensioneve për gjithë rajonin”, thotë ai në një përgjigje për KosovaPress.
Pavarësisht konkluzave të ministrave të BE-së për mundësitë e heqjes graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, optimiste për një gjë të tillë nuk është deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Ajo thotë për KosovaPress se qeveria Kurti ka stopuar rrugën e integrimit evropian dhe ka sjell Kosovën nën masa.
Kadrijaj: Nuk pres asgjë nga kjo qeveri
“Kjo qeveri e ka stopuar rrugën e integrimit evropian. Ne jemi vendi i dytë që jemi të sanksionuar nga BE-ja. Njëra është Rusia për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa të dytët jemi ne. Ndërsa pas sulmeve terroriste që kanë ndodhur në Banjskë dhe Ibër-Lepenc ne nuk po shohim se kjo qeveri po përfiton nga këto sulme terroriste. Nuk e di sa kujt po i shërbejnë nëse nuk po i shërbejnë vendit. Po të kishte ndodhur e kundërta kjo çështje do të ishte diskutuar edhe në Këshill të Sigurimit...Nuk presim asgjë prej kësaj qeverie”, thekson Kadrijaj.
Mirëpo, njohësi i integrimeve evropiane, Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress se bazuar në përbërjen e re të Komisionit Evropian dhe konkluzionet e 17 dhjetorit të ministrave të BE-së, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen deri në fund të këtij viti, mirëpo në formë graduale dhe jo në tërësi.
Bytyçi: Masat ndaj Kosovës mund të hiqen në mënyrë graduale në fund të këtij viti
“Ka mundësi që në takimin që mbahet në fund të dhjetorit të merret një vendim. Mirëpo largimi i masave pritet të ndodh me disa hapa të ndryshëm dhe nuk do të ndodh largimi i të gjitha masave përnjëherë. Nëse merret një vendim do të kemi një largim të masave në faza që do të zgjasin ndoshta edhe gjatë gjithë vitit të ardhshëm”, deklaron Bytyçi.
Në njërën ndër pikat e konkluzioneve të miratuara më 17 dhjetor nga ministrat e BE-së kërkohet nga Kosova hapa të mëtejshëm për heqjen e masave ndëshkuese si dhe riintegrimin e serbëve të dorëhequr në institucionet.
Masat ndëshkuese Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 pas rritjes së tensioneve të vendit.
Mirëpo, në qershor të këtij vitit ish përfaqësuesi i lartë i bllokut, Josep Borr