Themelimi i komisionit të përbashkët për mbikëqyrjen e Deklaratës për personat e zhdukur, nuk po shihet si garanci për zbatimin e saj. Në Kosovë ka zëra skeptikë se do të ketë progres në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Gjatë kësaj jave, Kosova dhe Serbia janë dakorduar në Bruksel për zbatimin e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.
Dokumenti u miratua më 2 maj, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian.
Përkundër insistimit të Kosovës për zbatimin e saj, kjo deklaratë ka mbetur vetëm në letër.
Hoti: Para disa ditësh jemi dakorduar për themelimin e komisionit të përbashkët
“Ajo çfarë ka ndodhur para disa ditësh është që jemi dakorduar që të themelohet komisioni i përbashkët që ka qenë i paraparë në kuadër të deklaratës së përbashkët. Ky komision ka pasur të themelohet diku rreth qershorit të vitit të kaluar, menjëherë pas dakordimit të Deklaratës së personave të zhdukur në Bruksel. Mirëpo, ka një vit e gjysmë që Serbia në vazhdimësi ka vendosur komente të tjera, çështje teknike që ka qenë e kuptueshme - tendencën për ta zvarritur këtë proces. Por, së fundmi ajo që e bëri shumë të vështirë këtë proces, ka qenë që Serbia e kërkonte një dokument shtesë në kuadër të termave të referencës, duke e potencuar Bashkimi Evropian që UNMIK-u mbetet si pjesë e Republikës së Kosovës në këto çështje dhe duke e potencuar që komisioni i përbashkët nuk ka asnjë lloj kompetence”, deklaron Hoti për KosovaPress.
Serbia është tërhequr nga kërkesat e saj, siç thotë Hoti, dhe janë dakorduar për themelimin e këtij komisioni të përbashkët i cili do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
Hoti: Çështja e personave të zhdukur do të dërgohet në 27 vende të BE-së
“Njëra prej pikave të komisionit të përbashkët thuhet që nëse palët nuk bien dakord, që në këtë rast gjithmonë po e marrë shembull arkiven dhe tash ka më shumë se një vit e gjysmë që e kam dërguar letrën tek Vuçiqi atëherë problemi, çështja ngritet në nivele më të larta se sa unë ku jam dhe dërgohet tek kryenegociatorët që është zotëri Bislimi ose tek niveli më i lartë, Kurti. Nëse as këtu nuk zgjidhet, që unë jam shumë i sigurt që nuk zgjidhet sepse çështjet nuk janë zgjidhur që 25 vjet atëherë raporti ose ky problem i dërgohet 27 vendeve të BE-së dhe për mua si Andin, 27 vendet e BE-së në një gjendje kaotike të botës, Evropës, Ukrainës dhe gjithkah, me qenë në tavolinë të tyre çështja e personave të zhdukur të Kosovës është një lehtësim”, shprehet ai.
Por, a do të prodhojë rezultat themelimi i këtij komisioni, Hoti thotë se është herët të flitet.
Hoti: Është herët të flasim për rezultat
“A ka rezultat, a pranon Serbia të jap këto arkiva përmes këtij komisioni të përbashkët, ku kemi arritur me këtë, është herët të flasim. Sepse do të shohim se si do të rrjedhin takimet e para. Dhe takimi i parë parashihet të mbahet brenda muajit prej datës është miratuar komisioni i përbashkët që thirret nga Brukseli”, përfundoi Hoti.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se nuk ka asgjë të re në marrëveshjen e arritur gjatë kësaj jave në Bruksel.
Blakaj: Nuk është garanci që do të ketë progres në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur
“Nuk është asgjë e re, ky komision ishte dashur të krijohet shumë kohë më parë. Pra, është themeluar një vit e gjysmë pas deklaratës së përbashkët. Tani ky komision po shpresoj që do të sjell një kualitet të ri, mirëpo asgjë nuk është e garantuar. Sepse palët edhe në të kaluarën kanë pasur grupe të përbashkëta punuese, mirëpo nuk është që kanë sjellur rezultate. Ndoshta një novitet në këtë komision është që ai do të udhëhiqet nga një përfaqësues i BE-së dhe BE-ja mund të ketë një instrument të ri që mundet të imponojë ndoshta sanksione për palën, e cila nuk e zbaton marrëveshjen për personat e zhdukur. Nuk është diçka e re, është pritur kohë më parë të bëhet kjo. Dhe sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk është një garanci që do të ketë progres të madh në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, deklaron Blakaj.
Edhe Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur shprehet skeptik se do të ketë progres në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Grajqevci: Nuk jemi optimist sepse Serbia qëllimisht marrëveshjet i zvarrit
“Ne nuk e dimë se çfarë do të ketë brenda atyre marrëveshjeve, por a jemi optimist. Jo, jemi skeptik sepse Serbia qëllimisht të gjitha marrëveshjet përpara i ka prolonguar, i ka zvarritur. Asnjëherë nuk i është përgjigjur marrëveshjeve në mënyrë adekuate, si është dashur të përgjigjet dhe si e ka obligim moral dhe njerëzor. Por ata nuk kanë as moral as njerëzor. Sepse kjo cështje është dashur të zgjidhet në mënyrë humanitare dhe jo të kalojë në një proces politik që pikërisht Serbia gjithherë e ka përdorur si proces politik, ku i është dashur asaj e ka bërë një marrëveshje, e ka zgjidhur një problem politik, e ka anuluar marrëveshjen”, përfundon Grajqevci.
Me deklaratën për personat e zhdukur, palët janë zotuar për qasje të plotë në informacione të besueshme, vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, por edhe për komisionin e përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian.