Basri Beka nga “Organizata Shqiptaria” ka komentuar statistikat e dala të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku sipas tyre 93.49% e popullatës në vend kanë dalë të jenë mysliman.
Ai ka thënë se rezultati i paraqitur nuk e paraqet realisht religjionin në Kosovë.
“Ky rezultat është i kompromentuar. Ne si organizatë “Shqiptaria” që në fillim të regjistrimit kemi has në parregullsi të shumta. Regjistruesit kanë regjistruar në mënyrë arbitrare një religjion të caktuar, në këtë rast në religjionin islam. Nuk i kanë pyetur fare dhe në bazë të emrit kanë vendosur për fenë dhe nuk e ka pyetur fare’’, ka thënë ai.
Tutje Beka ka thënë se një parregullsi tjetër ka qenë edhe me rubrikat e opsioneve gjatë regjistrimit të popullsisë.
“Po ashtu, qytetarët që kanë dashur të deklarohen si pjesë e besimit “Shqiptaria” janë përballur me pengesa teknike dhe mungesë të transparencës nga ana e regjistruesve. Në shumë raste, rubrika “Tjetër, specifiko” nuk ka qenë e aksesueshme ose është refuzuar të plotësohet sipas dëshirës së qytetarëve, ka thënë Beka.
Ai thotë se për më tepër, pjesëmarrësit nuk kanë pasur mundësinë të konfirmojnë saktësinë e të dhënave të tyre pas regjistrimit, duke e bërë këtë proces edhe më problematik.
Ndryshe Organizata Shqiptaria është njohur vitin e fundit për thirrjet që ka bërë për të braktisur fenë islame në Kosovë ku janë shkaktuar debate të shumta./