Ushtarakë e njohës të sigurisë e vlerësojnë funksionalizimin e fabrikës së municionit

Aktuale

Ushtarakë e njohës të sigurisë e vlerësojnë funksionalizimin e fabrikës së municionit

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 23:24
Foto ilustrim

Kosova një ditë më herët ka nënshkruar një kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi”, për funksionalizimin e fabrikës së municionit. Kryeministri Kurti në momentin e nënshkrimit tha se përmes saj po i vendosin themelet e industrisë së mbrojtjes.

Lidhur me këtë kanë folur ushtarakë e profesorë të fushës së sigurisë. Një projekt të tillë e kanë quajtur shumë të rëndësishëm në rast se ai nuk është bërë për ndikim elektoral.

Ndonëse ndërtimi i fabrikës së municionit, për ish-komandantin e FSK-së, Kadri Kastrati, është shumë i vonuar, megjithatë përfitimet e Kosovës do të jenë të mëdha nëse projekti nuk mbetet vetëm në letër.

Kosova nuk ka asnjë infrastrukturë ushtarake që merret me ndërtimin e pajisjeve dhe armatimeve dhe nëse bëhet realitet Kosova ose forcat e saj ushtarake do të përfitojnë shumë por edhe rajoni sepse as në Shqipëri as Maqedoninë e Veriut nuk ka ndonjë fabrikë të municioneve që deri tash kanë ngritë kapacitete të tilla”, tha për RTK, Kastrati.

Profesori i fushës së sigurisë, Fatmir Çollaku, shprehet optimist për funksionalizimin e fabrikës, pasi siç tha ai, një gjë e tillë është e domosdoshme për fushën e sigurisë në vend.

Meqë bëhet fjalë për fushë të sigurisë dhe prodhim të armatimit, pa mëdyshje një gjë e tillë është inkurajuese për forcim të sistemit të sigurisë në aspekti e logjistikës dhe pajisjeve dhe kësisoj Kosova gradualisht do të konsolidohet në një të ardhme jo të largët të jetë një vend i vogël ku prodhohen gjëra të mëdha”, theksoi ai.

E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, theksoi se ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe të sigurisë në Kosovë, duke përfshirë SHBA-në.

Patjetër që ShBA që është aleati ynë kryesor strategjik dhe kemi bashkëpunim të ngushta edhe me ta do të bisedojmë me të gjithë ata parterë të cilët plotësojnë nevojat tona por edhe janë si vazhdimësi e bashkëpunimi të pa kursyer të pandalshëm mes nesh”, tha ai.

Ndërkohë prodhuesi turk, në faqen e tij në Facebook, ka bërë të ditur se fabrika do të jetë sipas standardeve të NATO-s dhe se me këtë kontratë janë krenarë që kontribuojnë në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë, duke forcuar industrinë e mbrojtjes së Kosovës.

Pas funksionalizimit, fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore e Kosovës, ndonëse ende nuk dihet vendi, kostoja dhe koha e ndërtimit të fabrikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat