​Shtrenjtohet sërish nafta, a po ndodh kjo ngritje për bashkatdhetarët?

Aktuale

​Shtrenjtohet sërish nafta, a po ndodh kjo ngritje për bashkatdhetarët?

Më: 22 dhjetor 2024 Në ora: 09:03
Foto ilustrim

Çmimet mesatare të derivateve në vendin tonë sërish kanë shënuar rritje ditëve të fundit rreth 5 centë për litër. Këtë shtrenjtim të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë. Derisa nga Shoqata e Naftëtarëve këtë ngritje e arsyetojnë me rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari i kësaj shoqate ka mohuar të ketë rritje të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ardhjes së bashkatdhetarëve për festat e fundvitit, raporton KosovaPress.

Në tregun e Kosovës një litër naftë sillet nga 1. 20 euro-centë deri në 1. 29 euro-centë, ndërsa benzina prej 1. 22 euro-centë deri 1. 28 euro-centë.

Qytetari Ismet Luta thotë se bazuar në të ardhurat mujore, çmimet janë të larta për derivatet. Përveç kësaj, ai shprehet i shqetësuar se rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare po reflektohet në mënyrë të ngadalshme në tregun tonë.

Luta: Për të ardhurat që i kemi janë çmimet e shtrenjta të naftës

"Realisht për kushtet që janë në Kosovë dhe për të ardhurat që i kemi janë çmimet e shtrenjta. Krahasuar me vendet e tjera të Bashkimit Evropian e të tjerat natyrisht se janë më të lira. Por, edhe krahasuar me rajonin jemi diku ose pak diçka më shtrenjtë. Por, e vërteta është që janë të shtrenjta... Ka qenë diku rreth 2 cent më lirë, tani është shtrenjtuar pak, mirëpo të shohim...Sipas juve sa duhet të jetë çmimi i derivateve? Mesatar rreth euros (1 euro), 5 cent më shumë, mirë do të ishte edhe 10 cent më pak po diku kështu do të ishte një mesatare për kushtet që i përshtaten Kosovës...E keqja është se çmimet e Bursës kur lëvizin, këtu nuk hetohen ato gjëra. shumë më vonë nuk e di pse", thotë Luta.

Ndërsa, Naser Hyseni i cili punon auto-taksi thotë se çmimi i derivateve ka shënuar shumë ngritje krahasuar me periudhën e më hershme.

Si pasojë e këtyre çmimeve dhe rënies së punës, Hyseni thotë se fitimi është i vogël nga puna e tij ditore. Sipas tij, litri i naftës në Kosovë do të duhej të ishte rreth 0. 70 centë.

Hyseni: Litri i naftës duhet të jetë 60 apo 70 centë

"Autotaksi punoj prej vitit 1999, pas luftës. Si i vlerësoni çmimet e derivateve në Kosovë? Në bazë të ardhurave siç janë në Kosovë çmimet janë të larta. Në bazë të të ardhurave personale çmimet janë të larta. Unë e di pas luftës, një litër naftë ka kushtuar atëherë 50 cent në markë ka qenë. Pastaj ka shkuar duke u rritur tashmë po kuptohet me krahasuar më atë kohë janë shumë shtrenjtë, janë të larta. Tani puna ka rënë edhe çmimet e larta, fitimi është shumë i vogël. Sipas meje në bazë të të ardhurave siç janë në Kosovë 60 cent apo 70 litri i naftës, më shumë nuk është dashur të kushtojë", shprehet Hyseni.

Edhe Fuad Daci potencon se kohëve të fundit ka vërejtur rritje të çmimeve të derivateve.

Daci: Duke marrur parasysh rrogën sa e kemi çmimet janë të ngritura

"Çmimet e derivateve janë të ngritura pak në krahasim me rajonin, pak më shtrenjtë se gjithkund...Duke marrur parasysh rrogën sa e kemi dhe janë çmimet e ngritura...Duhet të ketë zbritje të çmimeve...Sipas juve sa do të duhej të ishte një litër benzinë ose naftë? Për afërsisht 1 euro ashtu. Kur keni vërejtur se ka rritje të çmimeve? Kohën e fundit, ka ngritje të çmimeve...A po iu kushton shumë çmimi i derivateve? Po, na kushtojnë shumë", shprehet Daci.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani pranon se ka një rritje të çmimeve të derivateve, të cilën e quan “ngritje të lehtë”.

Pavarësisht kësaj, Berjani thekson se çmimet në Kosovë janë më lirë se në regjion, duke përjashtuar Maqedoninë e Veriut për të cilën thotë se ka akcizë më të ulët se shteti ynë.

Më tej ai ka thënë se kjo rritje nuk ka të bëjë me ardhjen e mërgimtarëve, por siç thekson ai çmimin e karburanteve e përcakton bursa ndërkombëtare dhe organizata prodhuese OPEC.

Berjani: Ka një rritje të lehtë të derivateve të naftës

“Ka një rritje të lehtë të derivateve të naftës por nuk janë rritjet ekstreme siç janë në tregjet ndërkombëtare…Kjo nuk ka të bëjë me ardhjen e mërgimtarëve, por çmimin e përcakton bursa dhe organizata prodhuese OPEC, që kur kemi reduktim të prodhimit, kemi rritje të çmimit. Në regjion jemi më të lirët sa i përket çmimeve të naftës. Rast konkret sot çmimet në Kosovë sillen prej 1 euro e 20 centë deri në 1 euro e 29 centë nafta. Ndërsa, benzina 1 euro e 22 cent apo 1 euro e 28 centë. Në Shqipëri sot e ke çmimin e naftës 1 euro e 90 centë. Në Serbi gjithashtu dhe shtete e tjera. Përveç Maqedonia Veriore është me çmim më të lirë sepse ka akcizë më të ulët se ne”, thotë Berjani.

Fadil Berjani ka shtuar se mërgimtarët nuk duhet të ankohen për çmimet e naftës, pasi që sipas tij, në shtetet evropiane “ata paguajnë më shumë për derivate”.

Berjani: Ankesat janë pa vend sepse çmimet janë reale në tregun e Kosovës

“Ankesat janë pa vend sepse çmimet janë reale në tregun e Kosovës. Për qytetarin tonë, për gjendjen ekonomike çfarë është çmimi real kishte me qenë 1 euro. S’ka asgjë të bëjë me ardhjen e diasporës. Diaspora kur është në gjendje ta paguajë një litër derivat 1 euro e 90 cent në Gjermani, në Zvicër në Austri, pse nuk e paguan 1 euro e 22 cent”, potencon Berjani.

Shtrenjtimi i karburanteve ndikon jo vetëm në xhepat e qytetarëve, por edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Po ashtu çmimi i karburanteve është një faktor kyç që ndikon në shpenzimet e tyre mujore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat