Kurti jep lajmin e mirë: Edhe këtë vit, qeveria ndan 100 euro shtesë për fëmijët dhe pensionistët

Aktuale

Kurti jep lajmin e mirë: Edhe këtë vit, qeveria ndan 100 euro shtesë për fëmijët dhe pensionistët

Më: 22 dhjetor 2024 Në ora: 09:24 Përditësuar në ora: 12:29 më 22.12.2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Pse refuzon të takohet me sindikalistët e sektorit privat? Kurti tregon arsyet

Kryeministri Albin Kurti u pyet për refuzimin për ta takuar kryesindikalistin e sektorit privat, i cili ka thënë se ka tentuar mbi 20 herë pët t’u ulur përballë tij,

Ai tha se në zyrën e tij shkojnë ata organizatat dhe institucionet kur “nuk kanë kryer punë diku tjetër”.

“Së pari ne e kemi Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe përveç ministrit Hekuran Murati, aty i kemi edhe dy zëvendësministra të shkëlqyeshëm, e kemi Avni Zogianin dhe Avni Dobrunën dhe këta janë në komunikim të rregullt me sindikatat në përgjithësi, përfshi edhe sindikatën e sektorit privat. Në zyrën e kryeministrit vijnë organizatat, institucionet e tjera atëherë kur nuk kanë kryer diku tjetër punë, ose kur lidhet drejtpërsëdrejti me mua, prandaj edhe ekzistojnë ministritë dhe ato në fushveprimtarinë e tyre kanë edhe këso veprimesh për dialog social me sindikatat”, tha Kurti.

“I kam takuar sindikatat në të kaluarën, do t’i takojë edhe në të ardhmen”, shtoi ai.

Shtesat për fëmijë dhe pensionistë, Murati tregon se kur do të ekzekutohen pagesat

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionmarrësit.

Murati ka bërë të ditur se kjo mbështetje vjen falë performancës së mirë buxhetore, pavarësisht sfidave.

Ministri tha se do të mundohen t’i ekzekutojnë mjetet javën e ardhshme, duke theksuar se nuk do të ketë nevojë për ndonjë aplikim.

“Sikurse vitin e kaluar s’ka nevojë për ndonjë aplikim. I kemi listat e përfituesve në data bazat tona, si për pensionistë ashtu edhe për marrësit e shtesave për fëmijë. Do të mundohemi gjatë kësaj jave që të bëjmë përgatitjet teknike që të ekzekutohen pagesat për këtë javë”, tha Murati.

Edhe këtë vit, qeveria ndan 100 euro shtesë për fëmijët dhe pensionistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media bëri të ditur se edhe këtë vit Qeveria do të ndajë 100 euro shtesë për të gjithë fëmijët që marrin shtesat çdo muaj, dhe pensionmarrësit.

“Të dashur fëmijë të gjithë që jeni nga 0 deri në 16 vjeç dhe jeni pranues të shtesave për fëmijë, do të përfitoni edhe nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por investim për mirëqenien tuaj”, tha Kurti.

Kurti bëri të ditur se  në gusht prezantuan skemën e ridizajnuar të shtesave për fëmijë, ku një një familje që ka 3 fëmijë i bie të marrin 90 euro në muaj apo 1080 euro në vit.

Kryeministri shtoi se 100 euro shtesë do të marrin edhe pensionmarrësit.

“Sikurse e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm, po ndajmë mbështetje shtesë në fund të viti nga 100 euro edhe për të gjithë pensionmarrësit”, tha Kurti.

Kurti shtoi se ndonëse sot është dita më e shkurt e vitit, pikërisht sot do të bëjmë zgjatjen e dorës së shtetit.

Ai tha se rritjen ekonomike e të hyrat buxhetore qeveria i ndan me të gjithë, e sidomos me ata që kanë nevojë të ndjenë dorën e shtetit.

Kurti e Murati thërrasin konferencë për media

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar mediat në konferencë.

Kurti do të jetë i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Konferenca e pazakontë e kësaj të diele është njoftuar të fillojë në ora 11:00.

Nuk dihet se për çfar është thirrur kjo konferencë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat