Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Ajo ka kritikuar ashpër politikën e qeverisë, duke e akuzuar se ka dyfishuar çmimin e energjisë, duke e vështirësuar më tej jetesën e qytetarëve.
Në një postim të saj në rrjetet sociale, Bajrami tha: “Për çmimin e energjisë elektrike ka një rregullator, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, njerëzit aty, pra bordin, i ka zgjedhë dhe i ka votu partia në pushtet – LVV.”
Ajo theksoi se, që nga ardhja e kësaj qeverie, çmimi i energjisë ka kaluar dy herë në rritje.
“Çmimi i energjisë elektrike është dyfishuar,” shkruan Bajrami, duke sqaruar se herën e parë çmimi është ngritur për 104% për tarifën e lartë dhe 85% për tarifën e ulët, ndërsa herën e dytë është rritur me 15% për të gjithë shpenzuesit.
“Herën e parë çmimi i energjisë është ngritë për ekonomitë familjare dhe atë tarifa e lartë është ngritë për 104% e tarifa e ulët është ngritë për 85% , për shpenzimin mbi 800 KWh, ndërsa herën e dytë çmimi i energjisë elektrike është ngritë 15% për të gjithë shpenzuesit (ekonomitë familjare dhe bizneset). Në prill të këtij viti ZRRE ka ulë çmimin për 8% , ulje kjo që nuk është vrejtë nga askush”, ka shkruar deputetja.
Bajrami theksoi gjithashtu se, edhe pse qeveria ka premtuar subvencione për disa kategori të familjeve, ato mbeten të pamjaftueshme për t’u përballur me rritjen e shpenzimeve.
“Të nderuar qytetarë, mos u hamendësoni nga propaganda dhe karramelet e qeverisë!”, ka shkruar Bajrami, derisa ka kritikuar qeverinë për mungesë transparence dhe për një politikë që, sipas saj, dëmton rëndë qytetarët e Kosovës.
Një tjetër pikë e rëndësishme që Bajrami theksoi është edhe mungesa e investimeve në sektorin energjetik.
Ajo theksoi se, pavarësisht buxhetit të madh të qeverisë pas luftës, nuk janë ndërtuar kapacitete të reja për prodhimin e energjisë elektrike.
Një shqetësim tjetër që Bajrami ngriti është edhe kostoja e importit të energjisë, e cila është përfshirë në faturat e konsumatorëve. “Kosto e importit të energjisë bëhet pjesë e faturave tona, mandej ‘ministri mëshirues’ disa familjeve që ai i quan të cenushme ju subvencionon faturat prej 3 deri në 10 euro dhe kërkon falënderim,” u shpreh Bajrami.
Në fund, deputetja Bajrami i bëri thirrje qytetarëve të mendojnë për jetën e tyre dhe të reagojnë në zgjedhjet e ardhshme.