Shtyrja e themelimit të Asociacionit do të vështirësojë pozitën e Kosovës, thotë profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami. Sipas tij, Kosova e ka detyrim që të bëjë një hap të tillë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkombëtarët i kanë bërë disa herë presion institucioneve vendore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e konsideruar si çështje kyçe dhe urgjente.
Bajrami: Është gabim që deri më tani nuk është themeluar Asociacioni
“Është gabim që nuk është themeluar Asociacioni deri më tani. Është dashur të themelohet. Çfarëdo shtyrje e Asociacionit e vështirëson pozitën e Kosovës dhe na sjell te një asociacion gjithnjë e më i keq. Është detyrim ndërkombëtar, është guxim i lidershipit që ky të themelohet, të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Unë mendoj që qeveria këtu është komode sepse cilin do draft statut qoftë të saj që nuk ekziston, qoftë franko-gjerman, ajo është komode që ta dërgojë tek Gjykata Kushtetuese, e cila është njëfarë filteri garantues se asociacioni nuk do të shndërrohet në pushtet të tretë, nuk do të marrë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejojë një lloj autonomie në Kosovë. Këtu vetëm duhet të ketë lidership, guxim që të procedohet dhe Kosova të kryejë detyrimet”, deklaron ai.
Bajrami flet edhe për proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, ka tendencë për rishkrim të historisë së Kosovës. Gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë Bajrami, është proces i rrezikshëm.
Bajrami: Procesi në Gjykatën Speciale është i rrezikshëm
“Çfarë po shohim në Gjykatën Speciale është një episodë politike që ka një porosi apo një dimension politik, i cili tenton që të bëjë baraspeshën e asaj çfarë ka ndodhur. Një proces shumë i rrezikshëm i cili nuk do të ketë efekte dhe pasoja vetëm ndaj personaliteteve që atje po gjykohen, që në fakt janë themeluesit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit por në një mënyrë po do të dëmtojë shtetin e Kosovës, sepse në qoftë se do të ndodhë që ata të dënohen, në një mënyrë po dënohet edhe shteti i Kosovës. Po inkriminohet edhe vet NATO e cila e ka mbështetur kauzën e UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe uroj që ky proces të përfundojë në mënyrë ligjore, pa dëmtime politike që ata të dalin të lirë me aktgjykim lirues dhe të hiqet çfarëdo hipoteke ndaj procesit të shtetndërtimit, luftës së UÇK-së”, thotë ai.
Në intervistën për KP, profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami thotë se ka shkelje të shumta nga Dhomat e Specializuara.
Bajrami: Kam shumë vërejtje në punën e deritanishme të Gjykatës Speciale
“Fatkeqësisht si profesionist, si jurist, kam shumë vërejtje në punën e deritanishme të kësaj gjykate. Shkelje të njëpasnjëshme procedurale, shkelje materiale, nganjëherë shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe sikur kjo gjykatë harron nganjëherë që është e themeluar nga Kosova, nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet të respektojë komplet Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe të mundësojë një gjykim të drejtë, me standarde më të larta të gjykimeve evropiane”, shton Bajrami.
Në një intervistë për KosovaPress, Bajrami flet edhe për qasjen e Serbisë dhe tendencën për “agresion juridik” në Kosovë.
Së fundmi, Qeveria e Serbisë ka miratuar projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë.
Për këtë kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se “Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën”.
Bajrami: Serbia dëshiron të shtrijë pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë, ky është agresion i ri kushtetues
“Ky është një hap i pritur, diçka e parë, një agresion i ri kushtetues në Republikën e Kosovës. Sepse Serbia dhe qeveria e saj nuk ka asnjë kompetencë në Republikën e Kosovës, as me Kushtetutën e Kosovës, as me rezolutën 1244. Pra, është përpjekje për ta mbajtur gjithmonë presionin e një agresioni. Një agresion më tepër juridik, sepse ajo donë ta shtrijë juridiksionin e saj në Kosovë për të mohuar shtetësinë, për të mohuar kushtetutën dhe pavarësinë e gjyqësorit. Unë mendoj që kjo është bërë vetëm për qëllime dhe motive politike sepse Serbia e ka kuptuar që e ka humbur Kosovën. Por ajo po i ushqen serbët lokal edhe në Kosovë edhe në Serbi me kauza të rrejshme patriotike që ne kemi akoma ndikim në Kosovë dhe mund të ndjekim njerëzit në territorin e Kosovës. kjo është vetëm për konsum të brendshëm dhe s’do të ketë asnjë efekt legal në Republikën e Kosovës”, shprehet Bajrami.
Në anën tjetër, Bajrami flet edhe për numrin e madh të ligjeve të dërguara nga opozita në Gjykatë Kushtetuese për interpretim.
Sipas tij, në të gjitha demokracitë tranzicionale ka shkelje kushtetuese. Megjithatë, shprehet se viteve të fundit këto raste kanë qenë shqetësuese.
Bajrami: Viteve të fundit ka qenë shqetësuese dukuria e miratimit të ligjeve jo kushtetuese
“Viteve të fundit ka qenë mjaft shqetësuese kjo dukuria e miratimit të ligjeve jo kushtetuese në Kuvendin e Kosovës dhe kjo duhet të na vetëdijësojë që praktikisht institucionet duhet ta ngrisin nivelin institucional, kulturën kushtetuese dhe të parandalojnë apo të prevenojnë shkeljet kushtetuese. Është një gjë shumë pozitive që kemi një gjykatë kushtetuese shumë kredibile, shumë kompetente, e cila jo vetëm që është gardiane e kushtetutës por edhe gardiane e demokracisë, gardiane e sundimit të ligjit. Dhe është një mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut. Fakti që kemi kohëve të fundit shumë ligje që po shkojnë, është jashtëzakonisht pozitive”, thotë profesor Bajrami.
Derisa komenton përplasjet e pozitës dhe opozitës për dërgimin e ligjeve në Kushtetuese, Bajrami thotë se nuk ka tendencë të bllokimit të qeverisë aktuale. Sipas tij, ka emancipim të politikës kosovare që të procedojë me kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve.