Me përjashtime nga puna, dëmtime të automjeteve e madje edhe me letra kërcënuese, po përballen serbët e Kosovës të cilët janë përkrahës të partisë së ministrit Nenad Rashiq.
Përkrahja ose bashkëpunimi me ministrin Nenad Rashiq, serbëve të Kosovës po iu kushton me kërcënime e përjashtime nga puna.
Njëra ndër viktimat e cila është përjashtuar nga puna është gruaja e zëvendësit të Rashiqit, Nenad Vukmiroviq, e cila punonte në sektorin publik në pjesën veriore.
Rast tjetër që Rashiqi e tregon është përjashtimi nga puna i disa personave nga një familje nga Novobërda, për shkakun se iu është ndërtuar shtëpia nga institucionet e Kosovës.
“Dhe një rast i fundit që ka ndodhur parmbrëmë ku një zyrtare e Ranillugut ishte diku por e ka lënë kerrin e parkuar, dhe kur është kthyer e ka gjetur veturën në kanal me një mesazh ku thuhet se jeni tu gabu, jeni në vendin e gabuar sepse herën tjetër edhe ti do të jesh në veturë”, ka deklaruar Rashiq në RTV Dukagjini.
Rashiq thotë se edhe djali i tij që studion në Serbi sa herë që udhëton të paktën 4 orë ndalet në kufirin me Kosovën.
Ministri i vetëm serb në Qeverinë e Kosovës, thotë se zgjedhjet për serbët e Kosovës ngjajnë me Korenë e Veriut.
“Po mund të supozoj se fiton regjimi i cili fatkeqësisht është për momentin në Beograd, i cili i përdor serbët e Kosovës, sikur një mjet të manipulimit dhe prezantimit në anën tjetër për retorikën e brendshme sikur se di, krizë, tragjike, skandaloze, e të tjera”, ka deklaruar Rashiq.
Në situatën kur për një pension 170 euro serbët e Kosovës bëhen të dëgjueshëm për Listën Serbe, në rast se nuk mbikëqyret rreptë edhe procesi i votimit, ministri Rashiq pret të përsëritet e kaluara.