Ekspertët e kibernetikës thonë se qytetarët nuk duhet të privohen nga shfrytëzimi i Tik-Tok-ut

Aktuale

Ekspertët e kibernetikës thonë se qytetarët nuk duhet të privohen nga shfrytëzimi i Tik-Tok-ut

Më: 23 dhjetor 2024 Në ora: 06:40
Foto ilustrim

Mbyllja e platformës sociale Tik Tok është diskutuar edhe në Kosovë. Por sipas ekspertëve të kibernetikës, qytetarët nuk duhet të privohen nga shfrytëzimi i kësaj platforme. Ekonomistët thonë se shumë familje sigurojnë të hyra duke promovuar bizneset e tyre në këtë platformë.

Mbyllja e platformës sociale Tik Tok po ndodhë në disa shtete të botës dhe së fundmi, vendimin për mbylljen e kësaj platforme e mori edhe Shqipëria.

Që të ndërmerret ky hap edhe në Kosovë është diskutuar nga Komisioni për Çështje të Sigurisë.

Ndonëse edhe Kosova e diskuton mbylljen, institucionet as që kanë dërguar ndonjë kërkesë që vendi të ketë domenin e vet jo vetëm për Tik-Tok, por dhe për platformat tjera.

Por si e shohin ekspertët e kibernetikës mbylljen e Tik-Tokut?

“Qytetarët e Republikës së Kosovës të mos privohen kushtimisht nga shfrytëzimi i një platforme, sepse kushtëzimi i qytetarëve ndaj një platforme krijon monopolin e platformës tjetër dhe kjo më pastaj bjen kushtimisht mos ofrimin e asaj që dëshirojnë qytetarët, që të kenë lirinë e shprehjes, mendimit dhe eksplorimit të mundësive të ndryshme, të cilat i shohim çdoherë më pak në rrjetin social facebook”, thotë Mentor Hoxha, ekspert i Kibernetikës.

Sipas Hoxhës, kjo qeveri por edhe qeveritë e kaluara sfidë e kanë të kuptuarit hapësirën kibernetike.

“Në këtë drejtim ne kemi një diskrepancë të shqetësimeve të cilat ngriten nga qytetarët, nga institucionet, qoftë institucionet e sigurisë apo institucionet e tjera dhe një mos respektim të këtyre shqetësimeve, mos adresim të këtyre shqetësimeve”, thotë Hoxha.

E përmes këtij rrjeti social, sipas ekonomistit Jakup Bellaqa, shumë familje sigurojnë të hyra.

Prandaj mbylljen e tik-tokut nuk e sheh të duhur.

“Në aspektin ekonomik ndikon negativisht, sepse shumë biznese, shumë familje, shumë qytetarë të RKS sigurojnë të hyra. Është jo etike dhe jo e moralshme që të mbyllet tik toku sepse është një rrjet social i cili shfrytëzohet për promovim në aspektin ekonomik, si tek bizneset ashtu edhe tek një pjesë e madhe e shoqërisë”, shprehet ai.

Vendet Perëndimore kanë shprehur shqetësime ndaj Platformës kineze Tik-Tok për shkak të vjedhjes dhe keqpërdorimit të të dhënave, kurse në Kosovë e Shqipëri, mungesa e kujdesit institucional ndaj fëmijëve sipas ekspertëve duket se po shtyn vendet të ndalojnë përdorimin e kësaj platforme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat