Për plot 26 vjet organizata dhe individ të ndryshëm, mblodhën materiale që dëshmojnë për krimet serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. E së fundmi të gjithë punën e tyre, e dorëzuan në duart e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Këta të fundit këtë javë e prezantuan edhe raportin e punës njëvjeçare
Janë fotografi që u mblodhën për 26 vjet.
Të gjitha këto dëshmojnë për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
E kjo është vetëm një pjesë e materialeve që gjenden në Këshillin Koordinues për të Zhdukurit.
Ky këshill së fundmi të gjitha i dorëzoi në duart e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë.
“I kemi dorëzuar Institutit për Krime luftë, 15 fajlla ku janë diku deri në 15 mijë dosje në brendësi të tyre. Ata tash e kanë për obligim që t’i grahin procesit nëse duan, është puna jonë vulominoze e 26 viteve, do të thotë çdo gjë është përgatitur në të mirën të mundshme”, thotë Ahmet Grajçevci, kryetar i këshillit koordinues për të zhdukurit.
Por, çka saktësisht arriti të mbledh ky këshill që nga përfundimi i luftës?
"Përfshijnë fotografi, deklarata, dokumente të pushtetit serb për veprime që ka bërë. Video incizime, fotografi ka shumë, siç po i shihni edhe këto të ekspozuara”, tregon Grajçevci.
E në dyert e Institutit të Krimeve të Luftës, trokitën edhe koleksionuesit.
I riu nga Drenasi, Esat Shala, i dorëzoi mbi 8 mijë orë incizime që dëshmojnë për krimet serbe në Kosovë.
“As vet nuk e kam prit që vije deri tek ky numër kaq i madh, sepse nuk kam pas qejf as unë me krye një punë që është dashtë me ba shteti, e jo individi”, thotë Shala.
E të martën u prezantua puna njëvjeçare e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti, tregoi për sasinë e materialit që ky institut arriti të mbledh në vitin e parë.
“Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terrabajtë material digjital, audio, video dhe foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion i siguruar gjatë kësaj periudhe është mbledhura nga 67 burime të ndryshme. Pra organizata, institucione që i kanë dorëzuar dëshmitë që i kanë pasur”, u shpreh Kurti.
Ndryshe, Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është themeluar në nëntor të vitit 2023.