Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 ka marrë vendim në lidhje me asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe.
Kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje u dërgua në Kushtetuese nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga, pasi në marrëveshjen e vitit 2015 në Bruksel mes kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte futur edhe pika që e njëjta të shkojë në Kushtetuese për vlerësim.
Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.
“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendim.
Asociacioni është ende në diskutim e sipër mes palëve.