Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri shkroi për përvjetorin e 35-të të themelimit të kësaj partie, duke publikuar në Facebook një fotografi ku ai shihet me liderin ikonik të kësaj partie, Ibrahim Rugovën.
“35 vjet me LDK-në. Në të gjitha fazat, në të gjitha dekadat për liri pavarësi e demokraci për të gjithë. Në kryengritje politike e rezistencë aktive, në kryengritje ushtake për të jetuar të lirë e në paqe. LDK, familje e madhe politike që lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës e bëri të dashur për të gjithë, për t’u krenuar me atdheun. Për Zot, atdhe e familje, dje, sot e përjetë!”, shkroi ai në një postim.
LDK-ja, Haziri tha se ia dha vendit “identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendos vet, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët”.
“Kjo familje politike e Ibrahim Rugovës, këtij vendi, përveç që ia dha identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendos vet, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët tanë”.
“Në këtë përvjetor, i falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës”, shkroi Haziri.
“Rikthimi në 35-vjetorin e themelimit është nderi dhe respekti më i madh sepse LDK është besë dhe shpresë për Kosovën. Rruga e Re në krye me prof. dr. Lumir Abdixhiku, nuk është për LDK-në, por për Kosovën. Urime 35-vjetori i LDK-së!”, shtoi ai.