Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka ardhur për vizitë në Kosovë për të përshëndetur kontingjentin italian të KFOR-it.
Kjo u bë e ditur në një njoftim të ministrisë së Jashtme të Italisë.
“Është krenari për mua të përcjell përshëndetjet e qeverisë italiane për gratë dhe burrat që shërbejnë në misionin e KFOR-it”.
“Falënderimet tona më të sinqerta shkojnë për ta dhe për të gjithë ushtarët italianë në botë për shërbimin e tyre për kauzën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht në raste si Krishtlindjet kur dëshirojmë të jemi pranë shtëpisë dhe njerëzve tanë më të dashur”, tha ai.
Në njoftim të ministrisë që drejtohet nga Tajani, bëhet e ditur se krahas përshëndetjes së ushtarëve italian që shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, ai do të vizitojë objektet e misionit të KFOR-it dhe do të ketë një takim me komandantin e kësaj force, Enrico Barduani.
Kryediplomati italian do të takohet edhe me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.