Kuvendi i Kosovës është ndër institucionet më të hapura dhe transparente në Kosovë, por edhe në rajon.
Kështu u tha në konferencën përmbyllëse të Forumit për Transparencë të Kuvendit. Megjithatë nga monitorues të punës së legjislativit u kërkua më shumë angazhim që Kuvendi të jetë më gjithëpërfshirës në hartimin e ligjeve.
Kryetarja e këtij forumi, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, tha se gjatë legjislaturës së tetë Kuvendi ka avancuar drejt transparencës dhe llogaridhënies.
Kryeziu: Kuvendi është një ndër institucionet më të hapura, qasshme, transparente
“Kuvendi i Kosovës sot është një ndër institucionet më të hapura, më të qasshme, transparente dhe llogaridhënës që ekziston në Kosovë, por edhe ndër më transparentët në kuvendet e rajonit dhe më gjerë. Prandaj mendoj se është një frymë e mirë e përbashkët e forumit për transparencë që e ka bërë të mundur këtë gjë”, tha ajo.
Progresin në transparencë të Kuvendit e përmendi edhe deputet i LDK-së, Driton Selemanaj, mirëpo i njëjti e konsideroi të domosdoshme që legjislativi të jetë më i hapur ndaj palëve të tjera në aspektin e dëgjimeve publike për hartimin e ligjeve.
Selmanaj: Kuvendi duhet të jetë një institucion që prodhon dokumente dhe vendime që janë të konsultuara
“Ndihem mirë që Kuvendi është një storje suksesi. Kjo t’iu them të drejtën nuk është si rezultat i punës së këtij forumi në mandatin e fundit, por kanë treguar gatishmëri shumë legjislatura edhe paraprake që vërtet të investojmë që Kuvendi të jetë ndër institucionet më të hapura dhe gjithëpërfshirëse...Kuvendin të kemi jo vetëm si institucion të qasshëm por edhe si institucion që prodhon dokumente dhe vendime që janë të konsultuara sa duhet por të jenë edhe në të mirë të njerëzve”, tha Selmanaj.
Në anën tjetër, hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Violeta Haxholli, tha se në këtë legjislaturë janë bërë hapa të suksesshëm drejt transparencës.
Megjithatë, ajo tha se duhet edhe më tutje shumë angazhim për të përmirësuar në këtë drejtim, derisa përmendi nevojën e miratimit të kodit të sjelljes së deputetëve, si dhe rregullimin e lobimit legjislativ.
Haxholli: Kuvendi ka ende shumë punë për të përmirësuar transparencën
“Padyshim që Kuvendi i Kosovës ka shënuar hapa të suksesshëm drejt transparencës. Vet fakti që Kosova vitin e kaluar është bërë anëtare e partneritetit për qeverisje të hapur tregon për suksesin që është arritur deri tani. Megjithatë ne si anëtarë të forumit kemi kritikat tona në atë se çka mund të bëjë Kuvendi më shumë për t’u përmirësuar më shumë në transparencë...Miratimi i kodit të sjelljes për deputetët mbetet një kërkesë që duhet të adresohet nga legjislatura e ardhshme. Përveç kësaj është edhe lobimi legjislativ, një aspekt që Kosova qëndron prapa nga vendet të tjera”, theksoi Haxholli.
Krahas këtyre, anëtarët e këtij forumi u zotuan që në legjislaturën e ardhshme do të angazhohen për rritje të transparencës.