Në mbledhje të KQZ-së nuk është certifikuar për marrje pjesë në zgjedhje parlamentare, Lista Serbe, njoftoi zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, për çka shtoi edhe se Lidhja Demokratike të Kosovës dhe Partia Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
“Me propozim dhe kërkesë të anëtarëve Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, përfaqësuesit e LV, që votuan dhe kundër certifikimit, në KQZ Lista serbe nuk certifikohet si subjekt për zgjedhjet parlamentare 2025. Përfaqësuesit e PDK dhe LDK nuk morën pjesë në votim”, ka shkruar Manxhuka.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.
.Elshani ka kujtuar se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për listën kandidatëve të subjektit politik.
“Të gjithë e dimë se kush është Lista serbe, mirëpo është mirë me na tregu Ministria e Punëve të Brendshme. Është mirë ata me ma tregu se kush janë pjesëtarë të këtij subjekti politik. Unë propozoj që të diskutoni me MPB-në dhe të vini me një rekomandim, qoftë pro apo kundër certifikimit”, u shpreh tutje Elshani.