Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar të hënën 35-vjetorin e themelimit në një ceremoni solemne që mblodhi udhëheqës, anëtarë dhe përkrahës të kësaj partie.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujtoi këtë datë si momentin kur “intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci”.
Gjatë fjalimit Abdixhiku theksoi trashëgiminë historike të Ibrahim Rugovës dhe rolin e LDK-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Liria e Kosovës mban vulën e Ibrahim Rugovës dhe LDK-së. Edhe pavarësia e Kosovës u bart nga LDK-ja, ndërsa shtet-ndërtimi mban vulën tonë. Lindja e LDK-së ishte lindje e aspiratave për liri, demokraci dhe paqësore.”
Tutje ai përkujtoi guximin e themeluesve të partisë duke theksuar se partia pati “35 vjet guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj idealëve”.“Sot, ndërsa shënojmë këtë përvjetor, ripërtërijmë zotimet tona për të ardhmen”, tha Abdixhiku.