OSBE: Procesi i certifikimit është një hap procedurial thelbësor dhe nuk duhet të ndikohet nga politika

Aktuale

OSBE: Procesi i certifikimit është një hap procedurial thelbësor dhe nuk duhet të ndikohet nga politika

Më: 23 dhjetor 2024 Në ora: 21:52
OSBE

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të planifikuara më 9 shkurt.

Në një deklaratë, OSBE-ja theksoi rolin kyç të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në promovimin e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion ka marrë ndër vite.

Megjithatë, Misioni shprehu shqetësim për vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar Listën Serbe.

“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë i lirë nga konsideratat politike,” thuhet në reagimin e OSBE-së.

OSBE  u bëri thirrje autoriteteve të KQZ-së që të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor, duke siguruar që veprimet e ardhshme të jenë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet demokratike.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

SHBA-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive që nuk janë të kënaqura me vendimet e KQZ-së, që t’iu drejtohen mekanizmave adekuatë, sikurse Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat