Pa shenja jete është gjetur një person të hënën në fshatin Veli Breg të Zubin Potokut. Kjo u bë e ditur nga Policia e Kosovës ku thuhet se ajo është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare se ka dyshime për atë që më vonë doli e vërtetë.
Policia e ka cilësuar këtë vdekje si të dyshimtë.
“Njësitë relevante policore së bashku me stafin mjekësor dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në viktimën e cila ndodhej e shtrirë në dhomën e një shtëpie banimi. Ekipi mjekësor ka konstatuar se personi është pa shenja jete”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pa jetë me urdhër të Prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.