Tragjedia e Parashqevi Simakut: Një çështje që tronditi kombin shqiptar

Aktuale

Tragjedia e Parashqevi Simakut: Një çështje që tronditi kombin shqiptar

Më: 23 dhjetor 2024 Në ora: 23:44
Spartak Ngjela

Një postim i avokatit të njohur shqiptar, Spartak Ngjela, ka ndezur diskutime të shumta në rrjetet sociale, duke e kthyer çështjen e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku në një temë mbarëkombëtare dhe tërësisht mediatike. Ngjela, i njohur për analizat e tij të thella dhe shpesh polemike, ka ofruar një këndvështrim të veçantë mbi këtë ngjarje, duke e konsideruar atë një fenomen estetik dhe një dramë shoqërore me dimensione artistike.

Postimi i plotë i Ngjelës sjell një analizë të ndërlikuar mbi faktorët që kanë ndikuar në këtë interes të madh shoqëror për Simakun – bukurinë, talentin dhe tragjedinë personale të saj. Ai shkon më tej duke parashikuar se kjo ngjarje do të shndërrohet në një film dramatik, një vlerë artistike që mund të depërtojë në rrafsh botëror.

Postimi i plotë i Spartak Ngjelës:

Çështja e Parashqevi Simakut u bë një çështje kombëtare.

Pse shqetësimi i saj tragjik u kthye në një çështje mbarëkombëtare dhe tërësisht mediatike?

Sepse ajo:

▶︎ është një person publik;

▶︎ është talent si këngëtare e preferuar;

▶︎ Apo ishte bukuria e saj femërore që po e krijon këtë interesim mbarëkombëtar për këngëtaren Parashqevi Simaku?

Në realitet kanë qenë të tre këta faktorë, sepse kjo jetë është një fenomen estetik. Dhe "dashuria shoqërore" për këngëtaren Simaku ishte kryesisht e ardhur nga fenomeni estetik: një këngëtare e talentuar, e bukur, që ka kënduar këngë të bukura.

Ja, ky është fenomeni estetik, por që në këtë qerthull sigurisht që, brenda tij, qëndron edhe afekti erotik i një aktoreje-këngëtare të bukur në skenë, afekt ky që nuk mund të përjashtohet si fenomen.

Sot, në këtë interesim të madh shoqëror këta tre faktorë përbëjnë njohjen ndaj artistes, por në thelb qëndron tragjizmi i çështjes Simaku që e ka kaluar gjithçka në një dramë shoqërore.
Dhe kjo është vetë struktura realiste e një filmi dramatik, sepse brenda kësaj ngjarjeje të dhimbshme të dramës së një gruaje të bukur, që ka dalë në skenë me sukses të madh, qëndron gjithashtu edhe jeta me cen e gruas së bukur që del në skenë, që dashurohet nga të gjithë, dhe pikërisht për këtë fakt, ajo është flakur në rrugë nga xhelozia e burrit të saj.

E kuptoni se ku jemi?
Sak jemi te tragjedia që i krijohet shpesh një gruaje të bukur që këndon mrekullisht dhe dashurohet nga i gjithë qyteti, por që, për të gjitha këto, vjen dhe e "varros" xhelozia e burrit të vet, që i ka marrë edhe djalin e saj të vogël, i cili sot është 30 vjet dhe nuk dihet nëse e urren apo e dashuron nënën e tij: këngëtaren e famshme shqiptare Parashqevi Simaku.

Po ngjarja Simaku që po zhvillohet përditë në Shqipëri, do ta ngrejë lart sërish këngëtaren, apo da ta fundosë atë?

Kjo ngjarje do të shkruhet, do të xhirohet si film artistik, dhe do jetë një tragjedi artistike që do të luhet nga një aktore e madhe, e bukur, dhe e talentuar.

Por, filmi ndërkohë do të vijojë nëpër televizorë të trajtohet si ngjarje, derisa të krijohet filmi artistik Simaku, që mund të kthehet në një vlerë të mirëfilltë artistike në rrafsh botëror.

Ta presim që ta shohim...

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat