Historiani dhe studiuesi i njohur Jusuf Buxhovi ka promovuar sot librin e tij më të ri, “Vitet e Gjermanisë”, një vepër që trajton lidhjet historike, kulturore, politike dhe profesionale midis shqiptarëve dhe Gjermanisë.
Në një intervistë për “Lajmet e fundit” në RTK, Buxhovi theksoi rëndësinë e këtyre marrëdhënieve, të cilat i cilësoi si ndër më të vjetrat në Evropë.
Buxhovi: Lidhjet shqiptaro-gjermane, një histori e pasur dhe e thellë
“Lidhjet historike shqiptaro-gjermane janë ndër më të vjetrat që njihen në kontinentin tonë,” deklaroi Buxhovi. Sipas tij, shkencëtarët gjermanë kanë luajtur një rol thelbësor në studimin dhe promovimin e albanologjisë, duke ofruar një dritare për botën mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Ai theksoi se gjatë shekujve XVIII dhe XIX, kur rusët, serbët dhe të tjerë tentuan të përhapnin teorinë se shqiptarët ishin të ardhur pa histori, ishin pikërisht studiuesit gjermanë që hodhën poshtë këto pretendime dhe vërtetuan të kundërtën.
“Deri te Kongresi i Berlinit dhe më pas, lidhjet historike me Gjermaninë kanë qenë shumë të rëndësishme. Edhe pas Kongresit të Berlinit, Gjermania ka vazhduar të tregojë interes për çështjen shqiptare,” theksoi Buxhovi.
Kontributi gjerman në çështjen shqiptare në shekullin XX
Sipas Buxhovit, kontributi i Gjermanisë ka qenë vendimtar edhe gjatë shekullit XX, veçanërisht kur filloi kriza e Jugosllavisë dhe kur autonomia e Kosovës u shtyp nga politika hegjemoniste e Millosheviçit. Ai theksoi se Gjermania ka ndihmuar në krijimin e një baze për qeverinë e përkohshme të Kosovës, duke strehuar një pjesë të saj në Bon, ku qëndronte Bukoshi dhe shumica e ministrave.
Gjithashtu, Buxhovi përmendi se një pjesë e rezistencës së armatosur, e cila më vonë iu bashkua UÇK-së, ka kaluar përmes hapësirës gjermane, duke përfshirë mbështetjen logjistike dhe organizative.
Libri “Vitet e Gjermanisë” sjell një pasqyrë të thelluar mbi këto ngjarje dhe marrëdhënie, duke e vlerësuar Gjermaninë si një nga mbështetëset më të rëndësishme të shqiptarëve në rrugëtimin e tyre historik.
Sipas tij lidhjet ekonomike, dhe lidhjet tjera të Kosovës në përgjithësi me vendet e perëndimit por në veçanti me Gjermaninë në 10 vitet e fundit kanë shënuar rënie të dukshme.
“Tash e disa vite nuk kemi kurrfarë investimi të gjermanëve në Kosovë, dhe ato firma që i kanë pasur i kanë tërhequr sepse politika e Kosovës nuk është tregu korrekte”, tha ai.
Ai po ashtu theksoi se politika kosovare së paku në tri-katër vitet e fundit të gjitha nismat gjermane në planin politik i kanë refuzuar ose anashkaluar.