Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është takuar sot me kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, me të cilin edhe kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.
Siç njofton Sistemi Prokurorial përmes një njoftimi për shtyp, gjatë këtij takimi dy kryeprokurorët diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet.
Ky bashkëpunim për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore do të përbëhet nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.
Siç njofton Sistemi Prokurorial, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.
“Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kanë vlerësuar të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.