FOL zbulon mangësitë në zbatimin e ligjit për privatësinë në institucionet publike

Aktuale

FOL zbulon mangësitë në zbatimin e ligjit për privatësinë në institucionet publike

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

Lëvizja FOL ka identifikuar një sërë mangësish në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në institucionet publike. Gjatë publikimit të raportimit “Niveli i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në institucionet publike – Raport mbi rezultatet e anketës”, u tha se institucionet nuk po i kryejnë obligimet e parapara me ligj.

Albana Hasani nga Lëvizja Fol, tha se ky raport ka për qëllim skanimin e situatës aktuale të mbrojtjes së të dhënave aktuale personale në institucionet publike.

Hasani: Në këtë raport janë identifikuar një sërë mangësish

“Të dhënat e këtij raporti janë grumbulluar përmes kërkesave për qasje në dokumente publike të drejtuar të gjitha institucioneve publike. Rrjedhimisht në këtë raport janë përfshirë të dhënat e 105 institucioneve publike. Ndonëse një pjesë e tyre nuk na u janë përgjigjur fare në kërkesat tona. Gjatë hulumtimit dhe gjatë rrugës të përpilimit të këtij raporti janë identifikuar një sërë mangësish në kuptim të respektimit të obligimeve që rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga institucionet publike”, deklaroi ajo.

Hasani theksoi se pjesa më e madhe e institucioneve nuk i kanë hartuar politikat e pavarësisë, për çka tha se konsiderohen dokumente kryesore për të siguruar sigurinë e të dhënave.

Hasani: 13 institucioneve nuk i kanë emëruar përgjegjësit për mbrojtjen e të dhënave personale

“Nga 105 institucione publike të cilat të cilat i janë përgjigjur kërkesave tona për qasje në dokumente publike, 92 prej tyre apo 88 për qind e institucioneve i kanë emëruar tashmë përgjegjësit për mbrojtjen e të dhënave personale...Ndërkohë 13 institucione të tjera apo 12 për qind e tyre ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim parësor të paraparë me ligj. Krahas progresit të arritur, kjo tregon që mbetet ende punë për tu bërë për tu siguruar që të gjitha institucionet publike i kanë caktuar zyrtarët përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale. Pjesa më e madhe e institucioneve publike, përkatësisht 82 sosh apo 78 për qind e institucioneve nuk i kanë hartuar dhe publikuar politikat e privatësisë”, shtoi ajo.

Ajo theksoi se vetëm katër institucione kanë konfirmuar që kanë pasur ankesa nga qytetarët për mbrojtjen e të dhënave.

Edhe komisionerja për informim dhe privatësi, Krenare Sogojeva ka pohuar se gjendja nuk është e mirë.

Sogojeva: Qytetari nuk njeh të drejtat e veta të privatësisë

“Raporti tregon një gjendje jo të mirë, e kjo tregon edhe ndërgjegjësimin tonë si qytetarë në raport me mbrojtjen e privatësisë tonë. Fakti që në institucione janë paraqitur numër shumë i vogël prej 2 për qind të ankesave për mbrojtjen e të dhënave personale, kjo do të thotë që qytetari nuk e njeh të drejtën e vet të privatësisë. Agjencia për Informim dhe Privatësi prej funksionalizimit të saj tash e tri vjet e gjysmë, vetëm sivjet ne kemi bërë për mbi 300 fushata ndërgjegjësuese. Është e dhimbshme që institucionet nuk e kanë trajtuar obligimin që e kanë ndaj ligjit për t’i trajnuar zyrtarët e vet, për t’i bërë politikat e privatësisë dhe t’i kryejnë të gjitha obligimet”, përfundoi ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat