Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka pasë edhe më herët raste kur prokuroria ka intervistuar kryeministra të vendit në objektin e Qeverisë së Kosovës, kur kishin ftesa.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ka propozuar datat se kur mund të vijë prokuroria atë ta intervistojë, pasi ka ftesë në cilësi të dëshmitarit.
“Ekziston komunikimi mes kryeministrisë dhe prokurorisë edhe t’u them të drejtën nuk mund të merrem paradite dhe pasdite, pra për ditë me këtë çështje. Unë do të merrem kur të vijnë të më intervistojnë në kryeministri si dëshmitar, jam i hapur, jam i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që në kryeministri ta jap deklaratën siç kanë kërkuar. Meqenëse kjo gjë është bërë edhe në të kaluarën, e ekzistojnë konfirmimet për këtë edhe në kryeministri i di edhe vet prokuroria, atëherë kam ofruar disa orare kur kjo do të mund të bëhej”.
“Po pres që me këtë çështje të merrem pikërisht duke dëshmuar, e jo duke deklaruar mbi dëshminë e cila nuk po ndodhë. Prokuroria e di shumë mirë se për çfarë raste bëhet fjalë, t’u them të drejtën datat dhe rastet nuk i kam shumë të qarta, por këshilltarët e mi ligjor dhe Ministria e Drejtësisë i dinë të gjitha më mirë. Edhe prokuroria e di më mirë se të gjithë ne së bashku se ka pasë raste në të kaluarën, kur nga prokuroria e shtetit kanë ardhur për të intervistuar kryeministra në Qeverinë e Kosovës. Unë besoj se prej kësaj praktike nuk do të duhet të ndalemi”, ka thënë Kurti.