Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, e ka konsideruar për keqardhje deklaratën e së martës të kryeministrit Albin Kurti se Millan Radoiçiq ka dhënë urdhrin për kryerje të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim.
Ahmetaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka thënë se nëse Kurti i ka pasur këto informacione për sulmin e Ibër-Lepencit si është e mundur që nuk i ka shkëmbyer me institucionet e sigurisë së ShBA-së.
“Është për keqardhje ashtu siç ka qenë gjithë kjo qeveri, sepse nëse Kurti i ka pasur të gjitha këto të dhëna për kriminelët e involvuar në sulmin e Ibër-Lepencit pyetja është si është e mundur që informatat e tilla ai nuk i ka shkëmbyer institucionet e sigurisë të ShBA-së , aq më tepër kur ne i dëgjuam deklaratat e të dy ambasadorëve amerikanë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi që madje edhe FBI ka qenë dhe është pjesë e hulumtimeve se kush janë kryerësit e veprave”, ka thënë Ahmetaj.
Ajo e ka cilësuar edhe si kundërpërgjigje të Kurtit ndaj deklaratës së fundit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jefrrey Hovenier se aktualisht nuk mund të përcaktojë kush është mbrapa sulmit, si dhe deklaratës së ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se ShBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në Ibër-Lepencit.
“Është kundërpërgjigje e Kurtit ndaj deklaratave të ambasadorëve, sepse ne deri më sot nuk e kemi dëgjuar Kurtin të jetë deklaruar me emër dhe mbiemër për kryerësit e veprave që edhe njëherë të jep të kuptosh që bashkëpunimi që është aq i rëndësisë vitale mes Kosovës dhe ShBA-së fare nuk ekziston, dmth nuk ka fare as komunikim dhe dikush në këtë situatë ose nuk e din çfarë po ndodh brenda vendit apo nuk po e thotë të vërtetë”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën në një konferencë për media ka folur për sulmet që kanë ndodhur gjatë këtij viti në pjesën veriore të vendit. Sipas tij, 15 sulmet që kanë ndodhur këtë vit deri të ai i fundit më 29 nëntor në kanalin e Ibër –Lepnecit kanë qenë të përfshirë njerëz të afërt me Milan Radoiçiqin.