‘’Unë s’mërzitem hiç, na ka zdritë fytyrën” – Përkujtohen dëshmorët e betejës së Llapashticës

Aktuale

‘’Unë s’mërzitem hiç, na ka zdritë fytyrën” – Përkujtohen dëshmorët e betejës së Llapashticës

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 19:08
Përkujtohen dëshmorët e betejës së Llapashticës

Në shënim të 24 dhjetorit, betejës së Llapashticës, përkujtohen e nderohen dëshmorët e lirisë. Familjarë e bashkë-luftëtarë rrëfejnë kujtime nga ditët e luftës.

Në hyrje të Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Penuhë të Podujevës, po e përshëndesin përzemërsisht.

Në këtë mënyrë, udhëheqës komunal e ish komandant, po e nderojnë sakrificën e dëshmorit, Miftar Zejnullahu.

E për rënien e tij në altarin e lirisë, në 24 dhjetorin e 98-tës, Shahë Zejnullahu ndjen veç krenari.

“Unë s’mërzitem hiç, jam e qetë për djalë tem, na ka zdritë fytyrën na ka zdritë”, ka deklaruar ajo.

Në nderim të të rënëve të Zonës Operative të Llapit, para lapidarit u vendosën buqeta lulesh.

E kujtimet e 24 dhjetorit, familjarët po i përjetësojnë edhe përmes fotografive.

Ndërsa bashkë me shokët, Enver Hakaj erdhi për të kujtuar ish-komandantin, Bedri Ahmetin.

Ditën kur ky i fundit ra dëshmor, Hakaj e ka ende të freskët.

“I ndjeri ka ra dëshmor mu në vijën e frontit, me armën më të madhe që kemi posedu, me gulinovin që e kemi qujtë atëherë.  Në atë moment jemi shokuar, por megjithatë mburrja ka qenë më e madhe se humbja”, ka thwnw ish ushtari i UÇK-së, Enver Hakaj.

E veç fotografive, rroba, letra, e mjete luftarake po i ruajnë në muzeun e këtij kompleksi.

Këtu, nga Gjermania bashkë me familje erdhi Baki Hetemi.

Kjo sepse vetëm në këtë formë, ai çmallet dhe nderon dy vëllezërit e tij.

Unë kam ardhë enkas për këtë ditë të sotit, ku sot e 26 vjet më parë ranë vëllezërit e mi, Salihi, Hetemi, po edhe bashkëshortes sime vëllai i saj gjithashtu. Po edhe fëmijët e mi ku janë këtu prapa meje, vijmë çdo vit që këtë ditë mos ta harrojmë, ani pse janë lind dhe rritë  në Gjermani, unë kam vazhdu historinë time personale t’ua tregoj ngjarja sot e 26 vite”, ka deklaruar Hetemi.

Në shënim të 24 dhjetorit, betejës së Llapashticës, gjatë ditës u mbajt manifestim qendror në qytetin e Podujevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat