Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka uruar besimtarët e krishterë për Krishtlindje.
Në një postim në Facerbook, Jashari ka shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e palodhur të pjesëtarëve të FSK-së.
“Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në këtë ditë festive të Krishtlindjeve, shpreh mirënjohjen time të thellë për punën dhe angazhimin tuaj të palodhur, në përmbushjen e misionit tuaj fisnik, mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë.Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë këtij viti ka pasur sfida të cilat i kemi tejkaluar së bashku falë përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj, andaj sot për nder të kësaj feste, ju uroj që të keni momente paqeje dhe ngrohtësie në shoqërinë e familjarëve dhe të dashurve tuaj”, ka shkruar ai.
Komandanti Jashari ka thënë se Krishtlindjet janë një moment reflektimi dhe solidariteti, për të gjithë besimtarët e krishterë, për të reflektuar mbi vlerat e unitetit, bashkëpunimit dhe përkushtimit ndaj njëri-tjetrit.
“Le të na udhëheqin vlerat e solidaritetit dhe sakrificës, të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme më të sigurt për vendin tonë.Gëzuar Krishtlindjet, ju uroj shëndet, lumturi dhe suksese në familjet tuaja!”, ka shkruar ai në Facebook.