Elek thotë se Kurti kërkoi moscertifikimin e Listës Serbe

Aktuale

Elek thotë se Kurti kërkoi moscertifikimin e Listës Serbe

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 20:21
Zllatan Elek

Mos certifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngjallur reagime të shumta nga faktori ndërkombëtar dhe organizata që monitorojnë procesin zgjedhor. Teksa gjatë ditës kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. 

Ai ka akuzuar Kryeministri Kurti që ka urdhëruar KQZ-në ta lërë jashtë zgjedhjeve partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.  Ndërsa, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bazë ligjore për këtë vendim.

Një ditë pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor nuk certifikoi partinë Lista Serbe, kreu i këtij subjekt, Zllatan Elek iu drejtua medieve.

Aty tha që do të dorëzojnë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas tij, mos certifikimi i Listës Serbe është bërë me urdhër të kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

“Mendoj se një gjë e tillë është bërë më urdhër të Albin Kurtit, në mënyrë që të përfitoj lehtë disa poena politikë. Do të jem i qarte kësaj radhe. Ky vendim nuk ka bazë në ligj dhe pasqyron faktin se sa shumë Kurti dëshiron t’i eliminoj serbët nga këto hapësira. Kjo është dhunë institucionale dhe juridike ndaj popullit serb dhe Listës Serbe sepse Kurti nuk dëshiron t’i shoh në Parlamentin e Kosovës”, ka thwnw ai.

Ashtu siç thanë edhe bënë. Gjatë ditës Lista Serbe dorëzoi ankesë në PZAP.

E në një përgjigje përmes telefonit kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se vendimi për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka bazë ligjore.

Njohësi i Kushtetutës, Muhamet Kelmendi tha për televizionin se nëse PZAP-ja vendos kundër certifikimit, atëherë Lista Serbe ka të drejtë animimi në Gjykatën Supreme dhe atë Kushtetuese.

“ PZAP-ja ka të drejtën e tillë që të bënë analizën në bazë të ankesës të cilën e ka paraqitur Lista Serbe dhe në qoftë se me shkeljet në baza ligjore nuk do të bëjë certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, kundër këtij vedimi kjo parti pastaj ka të drejtë të paraqet padi në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe të shkoj deri në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Por, Kelmendi mendon se KQZ mori vendim sipas ligjit meqë Lista Serbe siç thotë ai, vazhdimisht ka përkrahur dhunën në katër komunat veriore.

“Lista Serbe në këtë kontekst ka qenë një parti e cila ka mbrojtur dhunënë dhe terrorin në Kosovë në tërësi sidomos dhunën dhe terrorin i cili ishte në vitin e kaluar e kryer nga ana e bandës së Radojiciqit edhe ka mbajtur edhe ditë zie. Në aspektin Kushtetues dhe ligjor nuk e ka të drejtën që të certifikohet dhe del në zgjedhje kjo është juridikisht e përcacktuar me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës në fuqi”.

Ndërkombëtarët shprehën shqetësimin për këtë çështje duke thënë se procesi i certifikimit të subjekteve politike po ndikohej nga motive politike dhe bëri thirrje që Lista Serbe të ushtrojë të drejtën e saj për t’iu drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në reagimin e saj tha se “është e domosdoshme që votuesit, e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson”.

Reagime të ngjashme erdhën nga Bashkimi Evropian. Teksa, Organizatat joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore vlerësuan se KQZ-ja mori një vendim “në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e tjera në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat