Kryeministri, Albin Kurti ka paralajmëruar për sulme të reja në veri të vendit që pritet të ndodhin sipas tij në të ardhmen e afërt para dhe pas Vitit të Ri.
Kandidati i PDK-së për deputet, Faton Abdullahu ka thënë se një paralajmërim i tillë nga kryeministri, Kurti duhet marrë seriozisht.
Ai tha se Kurti mund të ketë informacione për sulme të reja në veri të vendit.
“Ne jemi opozitë dhe duhet ta marrim seriozisht çfarë thotë një kryeministër, nëse flet për kërcënime të mundshme ne mund të besojmë se mund të jetë ajo mundësi, pra mund të ketë informacione, të dhëna që e shtynë Kurtit të dal dhe të thotë këtë që tha sot, pra të tërheq vrenjtur se sulme mund të bëhen. Këtë duhet marrë seriozisht edhe për faktin se sulmi edhe ka ndodhur edhe me herët”, ka deklaruar Abdullahu.
Ai tha se PDK-ja nuk vepron si LVV në opozitë kur ka qenë.
“Ajo çfarë nuk ka bërë PDK-ja, nuk bënë as sot si opozitë është ajo çfarë nuk ka bërë LVV kur ka qenë në opozitë. Ku ka pasur kërcënime të tilla të ngjashme nga Serbia, kur e kemi ditë se çfarë është dhe ajo nuk ka ndryshu… nuk e kemi harru situatën, nuk kemi gjuajtur me gurë, me gaz, nuk kemi thënë se për çdo të keqe në raportet Kosovë-Serbi i ka fajet kjo Qeveri ose ajo Qeveri”, ka thënë ai.
Kurti në një konferencë për media theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojnë maksimalisht.
“Këso metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovë, të ciët për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri. Mirëpo, ne jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë të neutralizojmë maksimalisht. Përkundër faktit që sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtetet e fuqishme”, ka thënë ai.
Kurti të martën tha po ashtu se sulmi terrorist në kanalin ujor në “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor ka pasur qëllim ta rrezikojë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Kryeministri Kurti theksoi po ashtu se prapa këtij sulmi, qëndron terroristi Milan Radoiçiq.