Besianë Musmurati, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shprehur qëndrimin e saj dhe të partisë lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Vlen të theksohet se Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me vendimin e KQZ-zë për të mos e certifikuar këtë subjekt politik.
Musmurati ka theksuar se PDK ka një qëndrim të qartë dhe të veçantë, i cili nuk është i njëjtë me atë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), sa i përket certifikimit të Listës Serbe.
Musmurati ka kërkuar që nëse një gjë e tillë do të ndodhte, të kishte një shkresë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Ministria e Brendshme, gjë që, sipas saj, nuk ka ndodhur.
“Në fakt, mund të duket se kemi shqetësime të njëjta me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por gjithsesi, në takimin që përfaqësuesit tanë kanë pasur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kemi bërë shumë të ditur qëndrimin tonë, i cili është shumë i qartë dhe nuk është njëjtë me atë të LVV-së sa i përket certifikimit të Listës Serbe. Ne kemi kërkuar që, nëse ndodh një gjë e tillë, duhet të kemi një shkresë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Ministria e Brendshme, dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Musmurati.
Ajo ka shtuar se PDK-ja është e angazhuar në një fushatë për qytetarët dhe jo për të zhvilluar një fushatë negative dhe polarizuese, siç thotë se po bën qeveria e LVV-së, siç ishte rasti me moscertifikimin e Listës Serbe.
“Duke parë se jemi duke hyrë në fushatë, po e shohim që LVV-ja nuk po garon me një program për qytetarët, por po zhvillon një fushatë negative dhe polarizuese. E interpretojmë këtë dhe të gjithë debatin që po zhvillohet me KQZ-në në këtë kontekst”, ka shtuar kandidatja për deputete.
Në lidhje me moscertifikimin, Musmurati ka përmendur se KQZ-ja ka ndarë 360 mijë euro për Listën Serbe pas sulmit në Banjskë.
“Po ashtu, KQZ-ja në muajin janar ka ndarë rreth 360 mijë euro për Listën Serbe, që ishte pas sulmit në Banjskë, dhe e kemi parë seriozitetin e reagimit atëherë. Po ashtu, KQZ-ja ka certifikuar Mimoza Kusarin-Linë, e cila ka folur hapur dhe është koordinuar me Radojcicin në telefon. Dhe nuk po themi asgjë për këto dy raste. Por tani po bëhet politikë për certifikimin e Listës Serbe”, ka theksuar ajo.
Musmurati ka përmendur gjithashtu se zhvillimet e tanishme duhet të interpretohen si një fushatë negative dhe polarizuese që po zhvillon aktualisht Qeveria.
Sipas saj, PDK është përgatitur për një garë të hapur politike dhe ka një program të qartë për qytetarët, me kandidatë seriozë që do të japin rezultate pozitive në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kështu, zhvillimet që po ndodhin tani duhet të interpretohen si një fushatë negative dhe polarizuese që po zhvillon qeveria. Për këtë arsye, ne kemi një kundërpërgjigje, me një program të qartë për qytetarin, me kandidat për kryeminsitër seriozë dhe një garë të hapur politike. Rezultatet do të shihen më 9 shkurt”, ka shtuar Musmurati.