Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takim mobilizues me Shtabin e Prishtinës, teks tha se po vazhdojnë përgatitjet e kësaj partie për zgjedhjet nacionale.
LDK-ja tha se kanë mbetur edhe pak ditë deri nga momenti, siç e quajtën ata, historik, e ku sipas tyre, ky është momentumi më i mirë i kësaj partie.
“Do të vazhdojnë takimet me qytetarë në çdo lagje, shtëpi anë e kënd Prishtinës dhe gjithandej Kosovës. Do të vazhdojmë të prezantojmë vizionin e LDK-së; programin e vetëm politik “Rruga e re” dhe ofrimin e zgjidhjeve konkrete për sfidat e përditshme të qytetarëve”.
“Ky është programi i vetëm politik që sjell ndryshimin dhe zhvillimin e mirëfilltë për vendin tonë, dhe është program i domosdoshëm për Kosovën”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Më tej, në njoftim u tha se me këtë program, LDK-ja do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të jetesës, krijimin e mundësive për të rinjtë, rritjen e pagave, uljen e kostos së jetesës dhe investimet strategjike.