Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Vuçiq tha se Kurti “po përpiqet të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë - Lista Serbe dhe se me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron të shfarosë popullin serb.”
“Kur kësaj i shtohen edhe sulmet e ashpra të grupeve të ndryshme të presionit brenda vendit, të gjithëve e kanë të qartë se qëllimi përfundimtar është kolapsi i Serbisë. Ne nuk do t'ia japim Serbinë askujt dhe Serbia nuk do të ndalet! Nuk ka dorëzim,” tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e shkurtit për shkak të qëndrimeve kundër shtetit të Kosovës. Disa prej arsyeve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe Zlatan Elek gjatë prezantimit të listës së kandidatëve.