Provokim të hapur dhe shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare e ka cilësuar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, refuzimin nga Serbia të kërkesës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për vizitë në Luginë të Preshevës.
Kamberi ka thënë se Serbia nuk po vepron si një partner i angazhuar për paqen dhe stabilitetin, por si një palë që me qëllim tensionon situatën dhe sfidon të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Luginë.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë me vendosmëri kundër këtyre veprimeve të cilat siç ka thënë ‘cënojnë jo vetëm të drejtat themelore të shqiptarëve të Luginës, por edhe vetë procesin e dialogut dhe marrëveshjet e arritura’.
“Refuzimi i vizitës së paralajmëruar të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, dhe më herët i ministrit Hajrulla Çeku, nga Qeveria e Serbisë, është një tjetër provokim i hapur dhe një shkelje e qartë e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo qasje dëshmon përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të bllokuar çdo formë të mbështetjes institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të penguar dialogun dhe normalizimin. Veprime të tilla janë pjesë e një politike sistematike të diskriminimit dhe izolimit, që synojnë ta dobësojnë edhe më tej pozitën e shqiptarëve në këto komuna. Serbia nuk po vepron si një partner i angazhuar për paqen dhe stabilitetin, por si një palë që me qëllim tensionon situatën dhe sfidon të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Luginë. Bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë me vendosmëri kundër këtyre veprimeve të papranueshme, të cilat cënojnë jo vetëm të drejtat themelore të shqiptarëve të Luginës, por edhe vetë procesin e dialogut dhe marrëveshjet e arritura. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc meritojnë trajtim të barabartë dhe të drejtën për të jetuar me dinjitet, të mbështetur nga institucione që respektojnë marrëveshjet dhe parimet ndërkombëtare”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ndryshe, të mërkurën Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se Serbia ia ka refuzuar kërkesën për vizitë zyrtare njëditore ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës në Medvegjë e Bujanoc më 23 dhe 24 dhjetor.