Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka deklaruar se situata në komunat veriore të Kosovës është nën kontroll dhe se qetësia është siguruar falë mekanizmave të sigurisë që veprojnë atje.
Zeqiri ka theksuar se qytetarët janë në gjendje të mirë dhe se po vazhdon puna për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Ne kemi komunikim të rregullt me organet e sigurisë, natyrisht edhe me mekanizmat e KFOR-it dhe EULEX-it, jemi në ngjarje bashkërisht dhe i shqyrtojmë temat, edhe pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc kemi pasur takime të shtuara edhe kemi pasur shtim të forcave të sigurisë Policisë së Kosovës dhe KFOR-i natyrisht është në mbështetje. Situata është e qetë tani dhe nën kontroll”, ka deklaruar ai.
Ai përmendi se puna për rindërtimin e zonës së dëmtuar të kanalit të Ibër-lepencit po vazhdon pa ndërprerje dhe pritet të zgjatet për disa muaj.
“Është një lajm i mirë që kanali nuk u ndërpre plotësisht, pasi mund të kishte pasoja shumë të mëdha. Tani punimet po vazhdojnë dhe ne besojmë se rindërtimi do të marrë kohë, por është në rrugën e duhur”, ka shtuar ai.