Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti se do të ketë sulme të tjera në veri para dhe pas Vitit të ri duhet të besohen dhe të merren seriozisht.
Dashevci ka thënë se kryeministria dhe presidenca marrin informata të tilla nga organet përgjegjëse për siguri.
“Institucioni kryeministër dhe institucioni president marrin informata të cilat grumbullohen, përpunohen, sintetizohen dhe analizohen nga organet përgjegjëse për siguri dhe ato organe i shpërndajnë në kohë të shpejtë, andaj këto informata intelegjente janë te vlerësuara, reale dhe të drejta dhe duhet t’iu besojmë dhe duhet të merren seriozisht”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, sipas tij deklarata të tilla të kryeministrit Kurti nuk kanë ngjallur panik tek qytetarët pasi siç ka thënë ‘qytetarët i besojnë organeve të sigurisë’.
“Normalisht që sa herë ka ndodhur sulme si me bomba, si me gjëra të ndryshme prej atyre forcave destruktive që e kanë sulmuar Kosovën është shkaktuar gjithmonë shqetësim, do të ketë edhe tash shqetësim, edhe në të ardhmen, por të themi se ka ndonjë panik unë nuk po shoh diçka të tillë sepse qytetarët i besojnë organeve të sigurisë siç është Policia dhe organet e tjera. Momentalisht është gjithçka në kontroll dhe iu besojnë atyre për çdo hap që e marrin për qytetarët e Kosovës”, ka shtuar Dashevci.
Të martën kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media ka folur për situatën në veri, nga ku ka paralajmëruar se para dhe pas Vitit të ri, mund të ndodhin sulme të tjera atje.